Një tjetër valë shkarkimesh ka “tronditur” Bashkinë e Tiranës. Mësohet se kryebashkiaku Erion Veliaj, ka firmosur papritur me një të rënë lapsit shkarkimin nga detyra të bashkëpunëtorëve të tij politikë dhe drejtues të sektorëve jetik në kryeqytet.
Sipas asaj që VNA ka raportuar së fundmi, i pari i Tiranës, i cili është nën hetim nga SPAK, ka firmosur largimin e 20 zyrtarëve dhe shefave të sektorëve, ku mes tyre janë Anjeza Çapllani, Berton Hoxha, Jona Molla, Dition Shkurtaj.
Arsyeja se përse Veliaj ka bërë këtë valë të madhe lëvizjesh mbetet e paqartë. A kemi të bëjmë me një strukturim në Bashkinë e kryeqytetit dhe organizimit të saj për fushatën zgjedhore të 11 Majit, apo mos vallë këto shkarkime kanë ardhur si pasojë e hetimeve të SPAK ndaj kryetarit Veliaj i cili dyshohet se ka konsumuar katër vepra penale që janë:
-Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë;
– Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë;
-Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
-Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të –personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim.
Kjo valë shkarkimesh ka ardhur disa muaj pas lëvizjeve të bëra nga Veliaj në tetor të vitit të kaluar, ku ai vendosi që të ndryshonte jo një apo dy drejtorë të tij, por 12 të tillë.
Qytetari i parë i Tiranës vendosi të ndryshonte 12 drejtorët e disa Institucioneve të rëndësishme në Bashkinë e kryeqytetit, kryesisht; drejtorin e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, drejtorin e Policisë Bashkiake, atë të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, të Tirana Parking, të Kopshtit Zoologjik, Qytetit Studenti, si dhe disa prej qendrave sociale dhe muzeumet.
Marrë nga VNA.al