Përderisa përpjekjet diplomatike po hasin në vështirësi për të stabilizuar qasjen në Ngushticën e Hormuzit mes tensioneve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, tregtia euroaziatike po ridrejtohet gjithnjë e më shumë nga alternativat tokësore, me Rrugën e Transportit Trans-Kaspik – e njohur edhe si Korridori i Mesëm – që po shfaqet si një rrugë kyç për diversifikimin e logjistikës në Euroazi.
Më 2023, Banka Botërore e përshkroi Korridorin e Mesëm si një rrugë me rëndësi strategjike, por të kufizuar nga aspekti strukturor. Teksa fragmentimi gjeopolitik, i nxitur pjesërisht nga lufta e Rusisë në Ukrainë, ka rritur kërkesën për korridore alternative, Banka Botërore theksoi se qëndrueshmëria afatgjatë e këtij korridori kërkon investime të koordinuara, heqjen e pengesave infrastrukturore dhe përmirësimin e procedurave doganore ndërkufitare dhe atyre të transportit.
Po të njëjtën ditë kur u bë publik ky njoftim, zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz, theksoi rëndësinë e investimeve të tilla gjatë një takimi në Astana.
“Korridori Verior [përmes Rusisë] është bërë i paparashikueshëm për shkak të tensioneve gjeopolitike. Rruga jugore po i shtyn limitet e kapacitetit të saj”, tha ai. “Kjo situatë e ka bërë Korridorin e Mesëm jo një alternativë, por një zgjedhje të domosdoshme”.
Dosym Satpayev, drejtor i Grupit për Vlerësimin e Rrezikut në Almati – institut i pavarur që analizon rreziqet politike, korrupsionin dhe proceset e politikës së jashtme në rajon – tha se lufta e Rusisë në Ukrainë dhe sanksionet që pasuan kanë thelluar varësinë globale nga rrugë kryesore detare sikurse Ngushtica e Hormuzit. Por, kriza aktuale mund të ketë pasoja afatgjata për tregtinë globale.
“Edhe nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet, besoj se imazhi i saj si një rrugë e qëndrueshme transporti dhe logjistike është dëmtuar për shumë vite, nëse jo përgjithmonë”, tha Satpayev. “E njëjta gjë vlen edhe për stereotipin se vendet e Gjirit Persik dhe të Lindjes së Mesme mund të garantojnë furnizime të qëndrueshme të burimeve energjetike dhe mallrave të tjera përmes Ngushticës së Hormuzit”.
“Rreth 25-35 për qind e furnizimeve globale me plehra kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, dhe kjo pashmangshëm do të reflektohet në çmimet në treg. Prandaj, shumë vende do të kërkojnë të diversifikojnë rrugët, pavarësisht se si zhvillohet situata. Me shumë gjasë, paqëndrueshmëria do të zgjasë për një kohë të gjatë, që do të thotë se rreziqet do të mbeten të larta. Dhe, kjo është e keqe për biznesin, sepse biznesi ka nevojë për parashikueshmëri”.
Një rajon i rrethuar nga kaosi gjeopolitik
Një faktor kyç pas rritjes së tërheqjes së Korridorit të Mesëm, sipas Satpayev, është stabiliteti relativ i rajoneve nëpër të cilat kalon ky korridor. Pavarësisht konflikteve përreth, Azia Qendrore dhe Kaukazi kanë “treguar stabilitet në kushte të kaosit gjeopolitik”.
“Kjo ka rritur interesin për të si një platformë për projekte transporti dhe ato logjistike”, tha ai. “Si rezultat, statusi i rajonit është rritur në nivel global”.
Korridori i Mesëm u përshtatet të gjithëve, shtoi ai, përveç Rusisë.
“Ne shohim se aktorët kryesorë gjeopolitikë po kërkojnë të forcojnë pozicionet e tyre në rajon, kryesisht në sferat ekonomike dhe të transportit dhe logjistikës. Kina dhe Bashkimi Evropian janë veçanërisht aktivë”, u shpreh Satpayev.
“Samiti i Samarkandit vitin e kaluar shfaqi interesin e BE-së për zhvillimin e Korridorit të Mesëm, përfshirë investime në qendrat rreth Detit Kaspik. Edhe Shtetet e Bashkuara po tregojnë interes për Korridorin e Mesëm, pasi synojnë qasje në materiale kritike dhe metale të rralla në Azinë Qendrore”.
Analisti për Azinë Qendrore, Temur Umarov nga Carnegie Endowment for International Peace, argumentoi se, ndonëse narrativët gjeopolitikë gjithnjë e më shumë favorizojnë diversifikimin, realitetet në terren dhe ato logjistike të tregtisë vendosin kufizime në këtë drejtim.
“Megjithatë, Korridori i Mesëm, sado që mund të duket interesant dhe potencialisht ambicioz, ende nuk është zhvilluar në një nivel ku do të mund të zëvendësonte dërgesat veriore përmes Rusisë”, tha Umarov. “Problemi nuk është mungesa e interesit për Korridorin e Mesëm, por fakti i thjeshtë se për momentin është teknikisht e pamundur të ridrejtohet e gjithë rrjedha e mallrave dhe e burimeve energjetike përmes tij, në vend të rrugëve ekzistuese veriore”.
Ai shtoi se ky kufizim strukturor nuk lidhet vetëm me mangësitë infrastrukturore, por edhe me kohën dhe shkallën.
“Nga një këndvështrim praktik, është ende herët të pritet që Korridori i Mesëm të absorbojë të gjitha vëllimet tregtare. Do të duhen investime të qëndrueshme, koordinim midis shumë shteteve dhe vite zhvillim para se të mund të funksionojë në shkallën e rrugëve veriore që janë të konsoliduara”.
Çfarë nënkupton Korridori i Mesëm për Kazakistanin?
Për Kazakistanin, rëndësia e projektit të autostradës të mbështetur nga Banka Botërore shkon përtej financimit të infrastrukturës. Projekti sinjalizon rolin në rritje të vendit si një qendër transiti në një peizazh logjistik euroaziatik që po zhvillohet me shpejtësi, i cili gjithnjë e më shumë po përcaktohet jo vetëm nga gjeografia, por edhe nga gjeopolitika, diversifikimi i rrezikut dhe kërkimi për rrugë tregtare që janë më të qëndrueshme.
Nëse qeveritë e Azisë Qendrore e menaxhojnë këtë proces në mënyrë efektive, investimet në Korridorin e Mesëm mund të përkthehen po ashtu në përfitime të prekshme për qytetarët e rajonit, pohoi Satpayev.
“Infrastruktura si hekurudhat dhe rrugët, veçmas duke pasur parasysh madhësinë e Kazakistanit, mund të rigjallërojë disa rajone që janë ekonomikisht të lëna pas dore”, tha ai. “Nga këndvështrimi i ndërtimit të hoteleve, pompave të karburantit, shërbimeve dhe infrastrukturës së mirëmbajtjes, kjo mund të krijojë një efekt shumëfishues që u jep këtyre rajoneve një jetë të dytë”.
Ai shtoi se ky potencial nuk është automatik, por varet nga qeverisja dhe cilësia e zbatim.
“Ka shpresë që nëse kjo zbatohet nën mbikëqyrjen e investitorëve dhe organizatave ndërkombëtare që financojnë këto projekte do të përmirësojë deri në një masë edhe mirëqenien e qytetarëve në shtetet tona”.
Korridori i Mesëm, i njohur zyrtarisht si Rruga Ndërkombëtare e Transportit Trans-Kaspik, u themelua në vitin 2014 nga Kazakistani, Azerbajxhani dhe Gjeorgjia për të lidhur Kinën dhe Evropën përmes Azisë Qendrore, Detit Kaspik dhe Kaukazit Jugor, me lidhje të mëtejshme përmes Turqisë. Për vite me radhë, ai mbeti si projekt dytësor krahasuar me rrugën veriore të udhëhequr nga Rusia.