Grupi hetimor i Policisë së Shkodrës dhe policisë kriminale ka dyshime se autorët e masakrës me 3 të vrarë dhe 1 të plagosur janë vrasës me pagesë nga Mali i Zi, në moshë të re.
Makina e viktimave rezulton të ketë hyrë në vendin tonë po ashtu nga Mali i Zi gjatë ditëve të fundit.
Hetuesit kanë sekuestruar më shumë se 35 gëzhoja në vendngjarje. Makina e djegur e autorëve, deri tani nuk ka prodhuar asnjë të dhënë për grupin hetimor, pasi numri i shasisë është dëmtuar nga zjarri, megjithatë është dërguar për ekspertim me shpresën se mund të zbulohet.
Hetuesit janë përqëndruar te kamerat e sigurisë, por po haset vështirësi. Kjo për shkak se në zona të caktuara nuk ka kamera, e ndërsa aty ku ka nuk janë të pajisura me servera për ruajtje pamjesh.
Nga masakra në Shkodër pasditen e 30 Tetorit, mbetën të vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe Flutura Basha, e cila ishte kalimtare e rastit dhe nuk ka lidhje me ngjarjen.
Gjithashtu, i plagosur rëndë ka mbetur bashkëshorti i Fluturës, Bashkim Basha, pa lidhje me ngjarjen.
Çifti Flutura dhe Bashkim Basha, po udhëtonin me motor në zonë kur automjeti Mercedes i viktimave që ishin shënjestër e atentatit, humbi kontrollin dhe përplasi motomjetin.
Atentatorët që udhëtonin me një makinë Range Rover, dyshohet të ketë qenë 3 persona; 2 qitës dhe 1 shofer. Ndërsa një person i katërt mendohet se i ka ndihmuar të largohen pas djegies së automjetit.