Prokuroria e Tiranës po bëhet gati t’i kalojë SPAK-ut dosjen e radhës për mashtrimin me mikrokreditë që shkaktoi dëme të pallogaritshme tek interesat ekonomike të mijëra shtetasve shqiptarë.
Pikërisht për këto dyshime se avokatë subjekte financiare dhe përmbaruesit e tyre kanë vepruar në kuadër të grupit kriminal duke u shtrirë në kohë dhe me role të ndara, grupi i hetimit po vlerëson se kompetencat për shkak të këtyre cilësive i përkasin prokurorëve të posaçëm.
Nga aktet e administruara nga Prokuroria e Tiranë rezulton se shoqëritë nën hetim morën nga banka gati 4 mijë kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite. Vlera totale e tyre është gati 7 milionë euro dhe për shlyerjen e tyre Prokuroria e Tiranë zbuloi se u përdor një skemë shtrënguese e kredimarrjes ku përmes vjedhjes, debitorët u detyruan t’i shlyenin borxhet e veta me borxhe të reja. Prokuroria e Tiranës zbuloi se përmes kësaj skeme shoqëri të ndryshme përmbarimore vepruan duke bllokuar pasuritë që prokurorët e konsiderojnë se është vjedhje pasurie.
Në hetimin e kryer mbas masave gjyqësore, prokurorët kanë zbuluar se si qindra ankande mbi pasuritë e bllokuara, u kryen fiktivisht dhe pa njoftuar qytetarin. Vetëm në një ditë hetimet konstatojnë se u kryen 75 ankande të tilla.
Në aktet hetimore të administruara janë evidentuar rastet konkrete për fenomenin e vendosjes së sekuestrove konservative mbi pasuritë e paluajtshme që janë shtrirë dhe ndaj personave që nuk kanë lidhje fare me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Rast tipik i kësaj natyre është çështja/dosja përmbarimore ku për një detyrim të prapambetur prej 347.958 lekësh, Micro Credit Albania ka sekuestruar 14 pasuri të paluajtshme të një shtetasi.
Marrë nga Top Channel