“Shqipëria i thotë jo krimit” ishte slogani që bëri bashkë dhjetëra qytetarë të cilët protestuan pasditen e së mërkurës para Ministrisë së Brendshme në Tiranë.
Pasi u grumbulluan para Ministrisë ata mbajtën një deklaratë, e cila ishte shkruar në disa fletushka që u shpërndanë nga të pranishmit.
“Krimi po na pamundëson jetën normale,” – tha një nga pjesëmarrësit.
“Atentatet mafioze në rrugë, pazar, sheshe, në mes të ditës dhe në injorim të plotë të organeve të rendit, po e bën gjithmonë e më të pasigurtë jetën e secilit prej nesh,” – u theksua më tej nga protestuesit.
Pasi mbajtën deklaratën ata ndezën qiri për të paktën 14 persona të cilët mendohet se kanë humbur jetën pafajësisht nga krimi vitet e fundit të gjendur rastësisht apo si kalimtarë në atentate apo vrasje mafioze.
Pikërisht për të nxitur përgjegjësi nga autoritetet protestuesit ngjitën në muret e Ministrisë posterin me sloganin “Shqipëria i thotë jo krimit!”.
Organizimi i së mërkurës u mbajt pas thirrjeve që u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.
Ai erdhi si reagim ndaj ngjarjes së ndodhur më 30 tetor në Shkodër ku një atentat mafioz u mori jetën katër personave, dy prej të cilëve ishin thjesht kalimtarë të rastit.
Persona të paidentifikuar qëlluan me armë drejt makinës ku po udhëtonin Arlind Bushati e Hamza Lici. Ata humbën kontrollin dhe përplasën motorin me të cilin po lëviznin Bashkim e Flutura Basha.
Hamzai dhe Flutura vdiqën në vendngjarje, Arlindi ndërroi jetë dhjetë orë më vonë në spital, ndërsa Bashkimi pas katër ditësh.