Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur “taktika” për destabilizim masat që Serbia në tetor i miratoi lidhur me Kosovën. Ajo ka theksuar se Serbia nuk do të mund të arrijë asgjë për ta ndryshuar realitetin e pandryshueshëm për Kosovën e pavarur.
Qeveria serbe ka miratuar një projektligj për, siç e ka quajtur ajo, organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës. Përveç këtij, ajo ka miratuar edhe një vendim përmes së cilit e shpalli Kosovën si “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.
E, ndërkohë me gjithë kritikat e ndërkombëtarëve, këta të fundit nuk arritën ta bindnin Serbinë që të heqë dorë nga to. Beogradi zyrtar ka shprehur qëndrimin se do ta mbajë në fuqi vendimin për ta shpallur Kosovën “zonë të veçantë sociale” dhe se do ta miratojë në Kuvend ligjin për juridiksionin mbi veprat penale në Kosovë.
Marrë nga RTK