Rritja e treguesit të kostos së punës për njësi u ngadalësua përsëri në tremujorin e dytë të vitit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i kostos së punës për njësi është rritur me 2.2%, nga 7.8% që kishte qenë rritja në tremujorin e mëparshëm.
Rritja e kostos së punës për njësi pati shënuar rritjen më të fortë në tremujorin e dytë 2023, me afërsisht 15%. Që nga ai moment, rritja ka ardhur duke u ngadalësuar.
Sipas Bankës së Shqipërisë, paga mesatare në sektorin privat ka vijuar të rritet në tremujorin e dytë, por me ritme më të ulëta se më parë. Rritja e pagave zbriti në 6.9%, nga 12.7% një tremujor më parë. Ky ngadalësim pasqyron një efekt të fortë statistikor bazë nga një vit më parë, kur rritja e pagës së sektorit privat ishte 15%. Por, ky efekt erdhi kryesisht nga rritja e pagës minimale në ekonomi.
Ndikimi nga rritja e pagës minimale është shuar në tremujorin e dytë të vitit aktual. Ngadalësimi i normave të rritjes nominale të pagave është pasqyruar edhe në rritjen reale të tyre. E rregulluar për efektin e inflacionit, rritja e pagës mesatare u ngadalësua në 4.8% në tremujorin e dytë 2024, nga 10% në tremujorin paraardhës.
Edhe rritja e kostove të tjera prodhuese ka vazhduar të ngadalësohet gjatë tremujorit të dytë të vitit. Rritja e indeksit të çmimeve të prodhimit (IÇP) ishte 1.7% nga 2.8% në tremujorin e parë.
Presionet rënëse u përcaktuan kryesisht nga ngadalësimi i çmimeve të prodhimit për tregun vendas (2.3% nga 3.5%), ndërkohë që çmimet e prodhimit për eksport u ngadalësuan në mënyrë të moderuar (0.2% nga 0.5%).
Së fundi, indeksi i kushtimit në ndërtim (IKN) shënoi një rritje vjetore prej 2.5% në tremujorin e dytë ose 0.9 pikë përqindjeje më poshtë se sa në tremujorin paraardhës.
Rritja më e ngadaltë e kostove të prodhimit, duke filluar nga kostot e punës, duket se po lehtëson presionet inflacioniste në ekonomi.
Në dy muajt e fundit, inflacioni ka qëndruar në nivelin 1.9%, më i ulëti në tre vitet e fundit. Por, inflacioni i brendshëm vazhdon të ketë kontributin dërrmues në normën e përgjithshme të inflacionit në Shqipëri.
Sipas Bankës së Shqipërisë, nga 2% që ishte inflacioni mesatar për tremujorin e dytë të këtij viti, 1.7 pikë përqindje (mbi 85% e inflacionit total) ishte kontributi i inflacionit të brendshëm.
Megjithëse ekonomia e brendshme ngelet shtysa kryesore e presioneve inflacioniste në ekonomi, duket se në tremujorët e fundit këto presione janë ngadalësuar disi.
Banka e Shqipërisë vendosi këtë muaj të ulë normën bazë të interesit për herë të dytë këtë vit, duke çuar atë në nivelin 2.75%.
Marrë nga Monitor