Djali më i madh i Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, Donald Trump Jr., ka sulmuar demokratët pas raporteve se presidenti në ikje Joe Biden i ka dhënë Ukrainës leje për të përdorur raketa me rreze të gjatë, të prodhuara në SHBA, për të goditur thellë në territorin rus.
Trump Jr., i cili bëri fushatë së bashku me babanë e tij gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 dhe ka ndihmuar atë të zgjedhë anëtarë të kabinetit të tij të ardhshëm, nuk e ka kursyer gjuhën e ashpër në rrjetet sociale.
Vendimi i raportuar shihet gjerësisht si një përpjekje e fundit për të forcuar kapacitetet ushtarake të Ukrainës para se Trump të marrë detyrën më 20 janar. Gjatë fushatës së tij të rizgjedhjes, Trump hodhi dyshime mbi nevojën për ndihmë të pakushtëzuar për Kievin dhe premtoi të zgjidhte konfliktin me mjete diplomatike. Kthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë ka shkaktuar shqetësim te demokratët, zyrtarët ukrainas dhe Bashkimi Europian, pasi ata kanë frikë se administrata e re mund të braktisë Ukrainën.
Moska ka deklaruar vazhdimisht se leja për përdorimin e armëve perëndimore thellë brenda Rusisë do të ishte një sinjal i përfshirjes direkte të NATO-s në konflikt. Presidenti Vladimir Putin ka paralajmëruar më parë se Rusia do të marrë “vendime të përshtatshme në përgjigje të kërcënimeve.”
Marrë nga New York Post