KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Mbretëria e Bashkuar synon luftimin e bandave të trafikimit të emigrantëve në Ballkan
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Mbretëria e Bashkuar synon luftimin e bandave të trafikimit të emigrantëve në Ballkan
AnalizeFokusPolitikeSociale

Mbretëria e Bashkuar synon luftimin e bandave të trafikimit të emigrantëve në Ballkan

Përditësimi i fundit: 20 Nëntor, 2024 1:20 pm
113 Shikime
Share
12 Min. Leximi
SHARE

Qeveria e re laburiste e Britanisë nën drejtimin e Keir Starmer është zotuar të bëjë më shumë për emigracionin dhe të zvogëlojë numrin e kalimeve të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Ajo ka anuluar planin e diskutueshëm të qeverisë së mëparshme konservatore për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë, por disa raportime sugjerojnë se ajo po shikon me interes marrëveshjen e Italisë për dërgimin e azilkërkuesve për t’u përpunuar në Shqipëri.

Bashkëpunimi për emigracionin u zgjerua javën e kaluar, kur Mbretëria e Bashkuar njoftoi marrëveshje të reja me tre vende të Ballkanit Perëndimor, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë.

Sipas Mbretërisë së Bashkuar, marrëveshjet e reja bazohen në përvojën e marrëveshjes së mëparshme Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar për trajtimin e emigracionit, nënshkruar në maj kur ministri i jashtëm i atëhershëm i Mbretërisë së Bashkuar David Cameron vizitoi Tiranën.

Ndërsa emigracioni i paligjshëm mbetet një prioritet i lartë për publikun në Mbretërinë e Bashkuar, të dhënat më të fundit nga agjencia kufitare e Bashkimit Evropian, Frontex, zbuluan një rënie të madhe prej 80 për qind në kalimet e parregullta përgjatë “rrugës së Ballkanit Perëndimor” gjatë dhjetë muajve të parë të këtij viti.

Kjo mund t’i shtojë besueshmëri planit të Laburistëve për të frenuar kalimet e paligjshme.

Megjithatë, shtrirja e marrëveshjeve të sapo nënshkruara me tre vendet e Ballkanit mbetet e paqartë. Përveç shkëmbimit të inteligjencës dhe bashkëpunimit, ka pak informacion të disponueshëm publikisht në lidhje me detajet. Zyra Punëve të Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut nuk zbuluan detaje kur iu kërkua një koment.

Kontrabandistët konsiderohen si “kërcënim serioz për sigurinë globale”

Ndryshe nga Partia Konservatore, e cila mbështeti skemën e Ruandës, Starmer është zotuar t’i bëjë gjërat ndryshe dhe në vend të kësaj të fokusohet në ndalimin e bandave që merren me trafikimin e emigrantëve dhe të prishë modelin e tyre të biznesit.

Duke folur në asamblenë e përgjithshme të Interpolit në Glasgou, Skoci, në fillim të këtij muaji, ai deklaroi se Mbretëria e Bashkuar do t’i trajtojë kontrabandistët si “terroristë” dhe do të mbështetet më shumë në taktikat kundër terrorizmit.

“Kontrabanda e njerëzve duhet të shihet si një kërcënim global i sigurisë, i ngjashëm me terrorizmin. Ne duhet të kombinojmë burimet, të ndajmë inteligjencën dhe taktikat dhe ta trajtojmë një problem duke punuar së bashku për të mbyllur rrugët e kontrabandës”, tha Stamer në asamble.

Andi Hoxhaj, një pedagog në King’s College në Londër, e përshkruan qasjen e Starmer si më të moderuar se ajo e qeverisë së mëparshme konservatore. Megjithatë, ai nënvizon se politikat janë të ngjashme në thelb, pasi të dyja fokusohen në parandalimin.

Është një qasje që “funksionon në përputhje me perceptimin e votuesve se qeveria e re duhet të jetë e ashpër ndaj krimit, e kështu me radhë”, shpjegoi ai.

I pyetur për marrëveshjet e fundit me Ballkanin, Hoxhaj i konsideron ato një “fitore të lehtë diplomatike për Laburistët”, duke iu referuar hapësirës kohore relativisht të shkurtër në të cilën u përfunduan këto marrëveshje pasi Partia Laburiste fitoi zgjedhjet e përgjithshme këtë verë.

Ai thekson se punimet përgatitore kishin kohë që po vazhdonin në prapavijë. “Ka pasur tashmë bisedime në vazhdim nga qeveritë e mëparshme, kështu që nuk ishte se laburistët filluan krejt papritur nga e para, sepse ata tashmë po e diskutonin këtë gjë”, tha ai për BIRN.

Ndarja e informacioneve në qendër të marrëveshjeve të reja

Marrëveshjet me tre vendet e Ballkanit Perëndimor u njoftuan javën e kaluar në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Budapest.

Në dritën e pasojave nga Brexit, qeveria e re e Mbretërisë së Bashkuar po e bën përparësi përmirësimin e partneriteteve të sigurisë me vende të ndryshme evropiane. Marrëveshjet e sigurisë pas Brexit kanë pakësuar aksesin e Mbretërisë së Bashkuar në bazat e të dhënave dhe aftësitë jetike evropiane të shkëmbimit të inteligjencës.

Sipas Dauning Strit, mbi 100,000 emigrantë përdorën të ashtuquajturën rrugë të Ballkanit Perëndimor vitin e kaluar dhe kjo rrugë është përshkruar si një “rrugë kyçe” për ata që shohin BE-në dhe Britaninë e Madhe si ndalesa përfundimtare.

“Marrëveshjet do të rrisin shkëmbimin e inteligjencës, ekspertizës dhe bashkëpunimit për të gjurmuar bandat kriminale ndërsa ata kalojnë tranzit njerëz vulnerabël nëpër këto vende, për t’i arrestuar ata dhe për të shkatërruar modelet e tyre të punës që në burim”, thuhej në njoftimin për shtyp.

Ndarja e informacioneve është në qendër të këtyre marrëveshjeve sepse luan një rol të madh në të kuptuarit se si funksionojnë grupet e krimit, tha Magdalena Lembovska Young, një analiste e asociuar në “Sibylline” në Londër.

Ajo pret që, përveç shkëmbimit të informacioneve, fokus do të vendoset edhe në mekanizmat e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve të përfshira për shkak të të dhënave të tyre të mëparshme.

“Për fat të keq, në të tre vendet e Ballkanit Perëndimor ka pasur raste ku integriteti i operacioneve kundër grupeve të krimit të organizuar është cenuar. Anëtarët e tyre janë informuar, ose informacione konfidenciale kanë përfunduar në media”, vuri në dukje ajo.

Andi Hoxhaj në mënyrë të ngjashme vëren se qeveritë e mëparshme të Mbretërisë së Bashkuar shpesh e kanë parë Ballkanin Perëndimor me mosbesim dhe qeveritë e tij “si të korruptuara”. Megjithatë, ndërsa presioni u rrit mbi qeverinë e ish-kryeministrit Rishi Sunak mbi kalimet me gomone, këto qëndrime kanë ndryshuar.

Vendet e Ballkanit Perëndimor tani kanë një histori të suksesshme pune me partnerë evropianë dhe ndërkombëtarë. Që nga viti i kaluar, Maqedonia e Veriut ka pritur një mision të Frontex të BE-së, me roje dhe patrulla evropiane në kufirin e saj me Greqinë. Marrëveshje të ngjashme janë në fuqi midis Greqisë dhe Shqipërisë. Diskutimet janë në një fazë të avancuar për një mision të ngjashëm në Bosnje dhe Hercegovinë.

Bashkëpunimi i suksesshëm me agjencitë evropiane si Europol-i tregon se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë “kapacitete të caktuara për të bashkëpunuar në mënyrë efektive”, vuri në dukje Lembovska Young.

Megjithatë, dinamikat politike rajonale ende mjegullojnë bashkëpunimin e qetë rajonal dhe ndërkombëtar. Mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është një shembull i kësaj.

“Kosova shpesh nuk është pjesë e forumeve të bashkëpunimit të sigurisë në nivel rajonal dhe të BE-së, gjë që pengon kapacitetin e saj për të trajtuar në mënyrë efektive emigrimin e parregullt”, tha Dani Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.

“Shkëmbimi i informacionit dhe operacionet policore transnacionale janë vendimtare në luftimin e kësaj çështjeje, megjithatë Kosovës i mungon aksesi, ose shpesh është një arsye pse rajoni nuk mund të përmirësojë bashkëpunimin, për shkak të pozicionit të Serbisë për shtetësinë e Kosovës”, shtoi Ilazi.

Partneriteti me Shqipërinë vepron si precedent

Marrëveshja Shqipëri-Mbretëri e Bashkuar e nënshkruar në maj, për të cilën qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thotë se shërben si bazë për tre marrëveshjet e reja me Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë, kishte një qasje shumë më të gjerë.

Ajo përfshiu mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë në polici dhe gjyqësor. Një shembull nga marrëveshjet e mëparshme midis dy vendeve përfshinte oficerët e forcave kufitare të Mbretërisë së Bashkuar që inkorporoheshin në aeroportin e Tiranës.

Hoxhaj pret që marrëveshjet e reja të vendosin baza për bashkëpunim, i cili do të zhvillohet më tej me projekte praktike dhe mbështetje.

Por ai tha se Mbretëria e Bashkuar mund të ketë marrë një qasje të veçantë me Shqipërinë, krahasuar me pjesën tjetër të rajonit, pasi ata e shohin atë si më vendimtare.

“Sipas pikëpamjes së Zyrës së Punëve të Brendshme, krimi i organizuar nga pjesët e tjera të Ballkanit Perëndimor (përveç Shqipërisë) nuk është aq aktiv në Mbretërinë e Bashkuar. Pra, këto vende shihen më shumë si vende tranzit, që luajnë një rol në elementin logjistik për sa i përket kalimeve”, tha ai.

“Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar i shohin shqiptarët si një faktor në Britaninë e Madhe, ndaj kjo është arsyeja pse marrëveshja me Shqipërinë ishte pak më e përshtatur, por kishte edhe arsye politike pas saj.”

“Në vitin 2022, kombësia më e madhe që mbërriti me gomone ishte shqiptare dhe nëse shikojmë statistikat e burgjeve të Mbretërisë së Bashkuar, shqiptarët në pesë vitet e fundit zakonisht renditen ndër tre kombësitë e para”, shtoi ai.

Teodora Kjoseva, nga Shoqata e Juristëve të Rinj Maqedonas, një organizatë e shoqërisë civile që ofron ndihmë juridike për azilkërkuesit, thotë se njerëzit në lëvizje zakonisht qëndrojnë në Maqedoninë e Veriut vetëm për një periudhë të shkurtër, e cila e klasifikon vendin vetëm si pikë tranziti.

Maqedonia e Veriut ofron pak sa i përket mundësive integruese, thotë ajo. Por ajo gjithashtu thekson se ata që përdorin rrugën e Ballkanit Perëndimor rrallë përmendin Britaninë e Madhe si destinacion, me Gjermaninë, Italinë dhe Spanjën në krye.

Rrezik i fuqizimit të narrativave të së djathtës ekstreme

Pavarësisht rënies së raportuar të kalimeve të parregullta të njerëzve që përdorin rrugën ballkanike për të hyrë në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar, fokusi i ripërtërirë i Britanisë mbi emigracionin ka ngjallur frikën se mund të nxisë diskurset e krahut të djathtë në planin afatgjatë.

Kur Sekretarja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Suella Braverman, në vitin 2022 i përshkroi shqiptarët që mbërrinin me gomone si një “pushtim”, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e akuzoi atë për ksenofobi.

Partneriteti i ri është një hap pozitiv në drejtimin e duhur, tha Ilazi. Megjithatë, ai paralajmëron se një fokus i ripërtërirë mbi emigracionin mund të shërbejë “në një farë mase për të përjetësuar imazhin e Ballkanit Perëndimor si një zonë problematike dhe për të ndihmuar në demonizimin e emigracionit, gjë e cila nga ana tjetër ndihmon në fuqizimin e narrativave të së djathtës ekstreme”.

 

Marrë nga Repoter.al

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Rama shkarkon Vlora Hysenin

Ankimoi masën, Apeli i GJKKO lë në burg Ergys Agasin

Makineria politike e Sorosit po hedh miliona përpara ditës së zgjedhjeve në SHBA

Arrestimi i drejtoreshës së SHISH, skandali më i rëndë në sektorin e sigurisë kombëtare

Në Shqipëri ka 28 mijë gra më shumë sesa burra

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Shtohet dhuna në rrugën e emigrantëve, nëpër Ballkan
Artikulli tjetër Pas vrasjes së 14-vjeçarit, ekspertët ngrenë alarmin për reformë të thellë në shkolla

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

Gjermani: 281 shqiptarë, mes rreth 8 mijë të dyshuarve për krim të organizuar
Analize Bota Fokus Kryesore Sociale Zhvillim 22 Shtator, 2026
Ngushtohet hendeku i pagave, mes burrave dhe grave
Analize Finance Kryesore Sociale Zhvillim 22 Shtator, 2026
“Lëvizja e Studentëve” në Serbi dhe paralelet me “Revolucionin e Flamingove” në Shqipëri
Analize Fokus Kryesore Opinion Politike Sociale 22 Shtator, 2026
5 eurodeputetë vizitojnë Zvërnecin, priten me protesta
Analize Fokus Kryesore Politike 22 Shtator, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.