Moti i keq me reshjet e shiut dhe temperaturat e ulëta ka përfshirë të gjithë vendin ditën e sotme. Lidhur me këtë situatë, Autoriteti Portual Vlorë ka marrë vendim për pezullimin e lundrimit për mjetet e vogla të peshkimit. Në një njoftim të shpërndarë nga ta thuhet se është ndaluar pajisja me leje-nisje i mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 10:00.
Gjithashtu në njoftim thuhet se të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës duhet të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre ndërsa anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse. Sipas njoftimit, përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 22:00.
Nga ana tjetër, edhe në Portin e Durrësit, është pezulluar lundrimi për mjetet e tonazhit të vogël duke përfshirë edhe peshkarexhat. Ndërsa linjat e trageteve me Italinë kanë vijuar pa probleme. Tragetet Bari-Durrës kanë lundruar normalisht. Ndërkohë veprimtaria e flotës së peshkimit pritet t’i kthehet normalitetit në fillim të javës së ardhme, pasi moti parashikohet të përmirësohet të dielën.
Kapiteneria e portit të Durrësit bën me dije se forca e detit është 5-6 ballë, ndërsa era fryn nga juglindja. Pasdite era parashikohet të ndryshojë drejtim e të fryjë nga veriu duke sjellë dhe rënie të temperaturave.