Muaji i kaluar ishte më i ngrohtë se çdo qershor tjetër, duke shënuar muajin e 13-të radhazi në të cilin temperatura mesatare globale arriti një rekord të lartë për muajin respektiv. Kjo e dhënë u konfirmua nga Shërbimi Evropian i Ndryshimeve Klimatike ”Copernicus”.
”Temperaturat e qershorit ishin gjithashtu 1,5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale, duke shënuar muajin e 12-të radhazi në të cilin u arrit ose u tejkalua pragu i 1,5 gradë Celsius”, sipas raportit mujor.
Në konferencën e klimës në Paris të vitit 2015, komuniteti global vendosi një objektiv për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë mbi nivelet paraindustriale.
Megjithëse shkencëtarët e BE-së për klimën pranuan se një varg 13-mujor i temperaturave rekord ishte “i pazakontë”, ata vunë në dukje një varg të ngjashëm të rekordeve mujore të temperaturës globale në 2015 dhe 2016.
Sipas raportit, temperatura mesatare e ajrit sipërfaqësor për qershorin ishte 16,66 gradë, 0,67 gradë mbi nivelin mesatar të regjistruar për muajin midis 1991 dhe 2020 dhe 0,14 gradë mbi rekordin e mëparshëm të vendosur në qershor 2023.