Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Kosovës, Hajrullah Çeku, e ka dënuar të enjten largimin e flamurit të Kosovës nga Kongresi i UEFA-së në Beograd si veprim të “turpshëm dhe të papranueshëm”.
Në një reagim në Facebook të enjten vonë, Çeku tha se Kosova pret sqarime nga UEFA-ja dhe “veprime efektive për të adresuar përgjegjësinë për këtë shkelje të rregullave të tyre të brendshme dhe këtë sulm ndaj shtetit të Kosovës”.
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) dhe Federata e Futbollit e Serbisë (FFS) u përplasën rreth pranisë së flamurit të Kosovës në Kongresin e 49-të të Federatës Evropiane të Futbollit në Beograd të enjten.
Derisa Federata Serbe tha se e kishte hequr flamurin e Kosovës nga vendtakimi i Kongresit në kryeqytetin serb, Federata Kosovare nguli këmbë se flamuri ishte i pranishëm deri në përfundim të mbledhjes.
Në ditën e Kongresit të UEFA-s, të enjten, Federata Serbe tha se e hoqi flamurin, duke e fajësuar UEFA-n për vendosjen e tij.
UEFA nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në pyetjet e saj rreth kësaj ngjarjeje.
Nuk është e qartë se në çfarë ore është hequr flamuri i Kosovës nga vendtakimi i Kongresit, ndërsa tubimi vjetor i UEFA-s përfundoi pak pas mesditës të enjten.
Kosova është anëtare me të drejta të plota e UEFA-s që nga viti 2016, por Serbia vazhdon ta kundërshtojë praninë e saj në shtëpinë e futbollit evropian, ashtu siç e kundërshton pavarësinë e Kosovës, e shpallur më 2008.
Ministri Çeku tha se largimi i simboleve është “sulm i drejtpërdrejtë ndaj integritetit shtetëror të Kosovës dhe si i tillë nuk mund të kalojë pa reagim të mirëfilltë ndërkombëtar”.
“Presim sqarime nga UEFA-ja dhe veprime efektive për të adresuar përgjegjësinë për këtë shkelje të rregullave të tyre të brendshme dhe këtë sulm ndaj shtetit të Kosovës”, tha ai në Facebook.
“Shteti serb nuk ka ndryshuar, është i njëjti që ka kryer masakra e gjenocid para pak dekadash. As atëherë e as sot, nuk e ka kursyer as sportin”, shtoi ai.
Kongresi i 49-të i rregullt i UEFA-s u mbajt në Qendrën e Kongreseve Sava në Beograd. Ky tubim vjetor mblodhi presidentët dhe sekretarët e përgjithshëm nga 55 federatat kombëtare anëtare të UEFA-s për të diskutuar çështjet kryesore që formësojnë futbollin evropian.
Në fjalimin e tij hapës, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, theksoi rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit në futbollin evropian.
“Ne jemi një ekip i bashkuar. Një forcë e unifikuar. Dhe një union i fuqishëm. Ne jemi unioni i futbollit evropian”, tha ai.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë