Një grabitje spektakolare, ka ndodhur në një aeroport në Kolumbi, ku një bandë e armatosur sulmoi një automjet sigurie në pistën e aeroportit për të vjedhur një shumë të madhe parash.
Sipas mediave lokale, persona të armatosur mbërritën në pistën e aeroportit me dy automjete dhe u drejtuan menjëherë drejt një makine të blinduar të kompanisë Brinks, e cila transportonte çanta me para të destinuara për një fluturim ajror. Grabitësit arritën të çajnë sigurinë dhe të marrin disa nga çantat me para.
Dëshmitarë raportuan në rrjetetet sociale për të shtëna armësh pranë portës E1 të aeroportit, ku ndodhi përplasja mes grabitësve dhe forcave të sigurisë që ruanin ngarkesën me vlerë të lartë. Pasi morën disa prej çantave, autorët u larguan nga zona duke thyer një portë të terminalit dhe u zhdukën me shumën e parave.
Pas arratisjes, banda arriti në një fshat të banuar nga komuniteti indigjen, ku dogjën një nga automjetet që kishin përdorur, me një qese të mbushur me kartëmonedha ende brenda, me gjasë për të shpërqendruar autoritetet. Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë banorët vendas duke mbledhur mbetjet e kartëmonedhave të djegura në tokë.
Autoritetet dyshojnë se janë vjedhur të paktën 24 çanta me para, katër prej të cilave janë gjetur. Deri më tani janë arrestuar dy persona të dyshuar, ndërsa hetimet vazhdojnë. Si pasojë e incidentit, operacionet në aeroport u pezulluan për disa orë, ndërkohë që grabitja ndodhi në sy të pasagjerëve, duke shkaktuar panik dhe frikë në mesin e tyre.
Marrë nga Associated Press