Kolumbia siguroi kualifikimin për në finalen e Kupës së Amerikës. Triumfi minimal ndaj Uruguait në gjysmëfinale i dha kombëtares së drejtuar nga Lorenzo, një biletë për në ndeshjen ku do të vendoset trofeu i madh.
Ishte një ndeshje spektakolare dhe emocionuese, me rastet që nisën nga fillimi. Sulmuesi uruguaian, Darvin Nunez, shpërdoroi dy mundësi të pastra për shënim, duke gjuajtur jashtë.
Në krahun tjetër, kolumbianët ishin cinikë dhe në të parin rast të rrezikshëm, e dërguan topin në rrjetë.
Në minutën e 39-të, Lerma shfrytëzoi në maksimum një krosim të ardhur nga goditja e këndit dhe shënoi me kokë.
Ishte një sfidë me tension të madh dhe kjo u pa qartë në fundin e pjesës së parë. Munoz nuk i mbajti nervat në minutën e 46-të kur goditi me bërryl Ugarten, çka solli edhe kartonin e kuq.
Me 10 lojtarë në pjesën e dytë, gjithçka u bë më e vështirë për Kolumbinë. Pas shumë vuajtjeve, kolumbianët ia dolën ta ruajnë avantazhin për të prerë biletën e finales së madhe.
Ecuri e shkëlqyer në Kupën e Amerikës, me Kolumbinë që në finale do të përballet me kampionët në fuqi, Argjentinën.