Policia finlandeze dhe SPAK kanë goditur një grup të trafikut të drogës, i cili akuzohet se e sillte drogën nga Spanja dhe Holanda në Finlandë.
Sipas autoriteteve finlandeze, grupi drejtohej nga shtetas shqiptarë, ndërsa në konferencën e së martës, prokurori i SPAK Alfred Shehu dha detaje lidhur me operacionin e zhvilluar në Shqipëri.
Sipas prokurorit të SPAK, janë lëshuar 11 urdhra arresti, të cilat janë miratuar nga gjykata, ndërsa janë arrestuar 9 nga 11 personat dhe për dy të tjerët vijon puna për kapjen.
“Në qershor të vitit 2023 u regjistrua procedimi penal për veprat në fushën e narkotikëve, duke përfshirë trafikimin, prodhimin, shitjen, shpërndarjen dhe magazinimin e lëndëve narkotike. Këto fakte u konstatuan fillimisht në Finlandë. Në fund të nëntorit 2023 u krijua skuadra e përbashkët hetimore ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe finlandeze.
Hetimi u zhvillua në mënyrë të fshehtë, duke përdorur metoda speciale hetimore, përfshirë përgjimet. Edhe pas formimit të skuadrës, veprimtaria kriminale vijonte në Finlandë, ku u bë edhe shkëmbimi i informacionit midis autoriteteve të dy vendeve. Kjo bashkëpunim i ngushtë rezultoi në zbardhjen dhe kapjen e sasive të tjera të lëndëve narkotike gjatë vitit 2024.
Në përfundim të hetimeve, u përcaktua data e aksionit të përbashkët. Në maj të vitit 2025 u dërgua kërkesa për caktimin e masës së sigurisë për 11 persona. Gjykata e Posaçme në datën 2 qershor 2025 pranoi kërkesën për arrest me burg të 11 të dyshuarve.
Janë lëshuar urdhërat e ekzekutimit dhe për zbatimin e tyre janë angazhuar Policia dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Aksioni u krye më 3 qershor në mëngjes, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze që morën pjesë aktivisht.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, janë arrestuar 9 nga 11 personat e dyshuar, ndërsa vazhdojnë përpjekjet për kapjen e dy të tjerëve. Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 8 automjete, telefona celularë dhe dokumente të rëndësishme, përfshirë materiale në gjuhën finlandeze, që lidhen me aktivitetin kriminal të të arrestuarve”. tha prokurori i SPAK, Alfred Shehu.
Marrë nga Euronews.al