Departamenti amerikan i Shtetit ka refuzuar deri më tani të komentojë mbi një krizë korrupsioni në rritje që po përfshin Shqipërinë, një aleate të rëndësishme të SHBA-së në rajon, shkruan Fox News, media më e madhe amerikane.
Pas vendimit të një gjykate shqiptare për të larguar nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku, nën akuzat se kishte ndërhyrë në dy tenderë ndërtimi, kryeministri socialist Edi Rama e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, sipas raportimeve mediatike, vendosi të premten ta rikthejë Ballukun në detyrë deri në marrjen e një “vendimi përfundimtar”.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ngriti më 31 tetor një akuzë penale ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo ishte ndikuar në mënyrë të parregullt në vendimin për të favorizuar një kompani në një tender për ndërtimin e një tuneli prej rreth 6 kilometrash në jug të Shqipërisë, raportoi Reuters. Më 21 nëntor, ditën kur Balluku u shkarkua nga detyra, SPAK shtoi edhe një akuzë tjetër për shkelje të rregullave në një projekt ndërtimi rruge në Tiranë.
Një ditë para paraqitjes së saj në gjykatë në nëntor, Balluku u shpreh në Kuvend se akuzat ndaj saj përbënin “hedhje balte, insinuata, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra”.
Si anëtare e dytë e kabinetit të Ramës që përballet me akuza për korrupsion që nga viti 2023, çështja e saj ka ngjallur reagime të forta nga kundërshtarët e kryeministrit.
Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA dhe në Kombet e Bashkuara, i tha Fox News Digital se rasti i Ballukut tregon se “qeveria Rama nuk shfaq asnjë shenjë të marrjes së përgjegjësisë morale apo të lejimit të drejtësisë të veprojë në mënyrë të pavarur. Përkundrazi, duket se synon të mbrojë znj. Balluku, duke i paraqitur veprimet e gjyqësorit si një sulm ndaj ekzekutivit”.
Ish-ambasadori shqiptar në Uashington argumentoi se “ndikimi mbi Gjykatën Kushtetuese mund të jetë një përpjekje për të vendosur një precedent mbrojtës — i cili mund të rezultojë i dobishëm nëse hetuesit do të tentojnë ndonjëherë të përfshijnë vetë z. Rama në hetimet e tyre”.
“Po bëhet gjithnjë e më e qartë se mbreti është lakuriq”, tha Nesho, duke shtuar se qeverisja e Ramës është shndërruar në “kapje të shtetit”, pasi “mungesa e kontrollit dhe ekuilibrave ka mundësuar një sistem të përsëritur korrupsioni gjatë disa mandateve të tij”.
Marrë nga Fox News