Detaje të reja janë zbuluar lidhur me paraqitjen e deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, mëngjesin e kësaj të mërkure në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime për mediat bëjnë me dije se paraqitja e tij në Strukturën e Posaçme lidhet me një kallëzim të bërë nga biznesmeni Anduel Çekrezi, në kuadër të një konflikti të gjatë pronësie në zonën e Imshtës në Lushnje. Çështja ka të bëjë me pretendimet për zaptimin e tokave të banorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Mësohet se konflikti mes palëve e ka zanafillën prej disa vitesh, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet publike dhe replikat në rrjete sociale. Nga njëra anë, biznesmeni ka paraqitur dokumentacionin përkatës të pronësisë, duke pretenduar se toka është blerë në mënyrë të rregullt. Nga ana tjetër, deputeti Braçe këmbëngul se bëhet fjalë për tokë publike, madje duke pretenduar se është privatizuar edhe një pjesë e lumit.
Burimet bëjnë me dije se përplasja mes palëve tashmë ka marrë rrugën ligjore dhe pritet të shqyrtohet nga organet e drejtësisë.
E gjithë situata u rikthye në vëmendje pas denoncimeve publike të deputetit, i cili pretendon se toka pranë lumit Seman, e përdorur tradicionalisht nga banorët, po merret në mënyrë të paligjshme për interesa private. Në anën tjetër, biznesmeni kundërshton këto pretendime dhe i është drejtuar drejtësisë për të sqaruar ligjshmërinë e pronësisë.
“Lushnjë, njësia Bubullimë, fshati Imshtë Grabitje e tokës publike live! Habia e madhe? Bujqit po mbrojnë tokën publike, policia vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës! Ky që shihni në video, që ju bërtet bujqve e ju thotë “boll bërtitet” është agai i ri që do të ndërtojë panele fotovoltaike mu në këtë tokë! Ç’ është kjo tokë? Është një sipërfaqe toke nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë. Është kjo mbi të cilën po rrijnë bujqit. Ç’thotë ligji”, ka shkruar Braçe në një postim të bërë jo më larg se disa javë më parë lidhur me ketë situatë.
Postimi i plotë i deputetit:
Lushnjë, njësia Bubullimë, fshati Imshtë Grabitje e tokës publike live! Habia e madhe? Bujqit po mbrojnë tokën publike, policia vepron si përmbaruese e grabitjes së tokës! Ky që shihni në video, që ju bërtet bujqve e ju thotë “boll bërtitet” është agai i ri që do të ndërtojë panele fotovoltaike mu në këtë tokë! Ç’ është kjo tokë? Është një sipërfaqe toke nga buza e lumit Seman deri në argjinaturë. Është kjo mbi të cilën po rrijnë bujqit. Ç’thotë ligji?
Ligji “Për burimet ujore” përcakton qartë se kjo tokë është “tokë e lumit” pra tokë publike e pa tjetërsueshme dhe paparashkrueshme! Një rrjesht i gjatë institucionesh publike janë përfshirë në grabitjen e kësaj toke dhe kanë shkelur kriminalisht ligjin. Një vit e gjysmë më parë, si deputet i këtyre njerëzve, kam kallëzuar në prokurori gjithkënd; javën që shkoi konfirmova në Prokurorine e Fierit se çështja është nën hetim dhe janë në valën e dytë të kryerjes së veprimeve hetimore. Pyetja që kam tani është e qartë: kur çështja është nën hetim në Prokurorinë e Fierit, ç’punë ka Policia e Lushnjës në krah të një personi që kërkon të përfundoje grabitjen e tokës nga një farë bilbili?
Dy javë të shkuara, ky tip ishte në Imshtë pa policinë, por me kriminelë që bënin çmos tu dukeshin armët; kanë kërcënuar banorët dhe ju kanë përmendur jetën e fëmijëve. A ka turp më të madh se Policia e Shtetit sot në mbrojtje të një grabitjeje ditën për diell kur ligji është shumë i qartë?! Është e përsëritur kjo!
Një vit e gjysmë më parë, me mbështetje të një politikani, i njëjti tip kishte përsëri policinë me vete deri ditën që politikani ra nga karrigia!
Nga ajo ditë, kjo përpjekje u shua dhe prokuroria po heton. Nuk di cili është politkani që po i del për zot këtë herë, por dua të theksoj me forcë: sipas ligjit, kjo është tokë e shtetit, e patjetërsueshme dhe e paparashkrueshme; Gjithçka që po ndodh është grabitje dhe shpërdorim detyre nga ana e policisë!
Marrë nga Newsbomb.al