Nga Roma, Kryeministri Edi Rama nisi turin e tij të vizitave, në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët evropianë. Por më shumë se takimet zyrtare apo mesazhet diplomatike, vëmendjen e mori një gjest që prej kohësh ka hyrë në repertorin e tij politik” “ulja në gjunjë” ndaj kryeministres së Italisë Giorgia Meloni.
Rama u takua me homologen italiane në një vizitë që në thelb synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe koordinimin me partnerët evropianë. Por ndërsa në Romë dominojnë gjestet dhe interpretimet simbolike, në Bruksel kanë nisur zhvillimet lidhur me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, të cilat mbeten shumë teknike dhe më pak “spektakolare”.
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian po përballet me testin e tij më real ku matës nuk janë më deklaratat politike në Tiranë, e as xhirot mediatike në rrjet, por tavolinat e vendimmarrjes në Bruksel.
Ky proces zhvillohet larg vëmendjes publike, në strukturat e Këshillit të Bashkimit Evropian. Në fokus është COELA (Grupi i Punës për Negociatat e Zgjerimit dhe Anëtarësimin në BE ), ku përfaqësuesit e 27 shteteve anëtare analizojnë në detaje progresin e Shqipërisë dhe shqyrtojnë draftin e Qëndrimit të Përbashkët të Përkohshëm të BE-së (EUCP), lidhur me grupkapitullin e parë “Themeloret”.
Në një kohë kur qeveria shqiptare ka vendosur objektiva ambicioze për mbylljen e grupkapitujve deri në vitin 2027, vlerësimi i Bashkimit Evropian mbetet i fokusuar te funksionimi real i institucioneve dhe te qëndrueshmëria e shtetit të së drejtës.
Por ky test kryesor nga ku varet “fati” i Shqipërisë vjen në një kohë tensionesh politike që çuan deri në ashpërsimin e toneve kundrejt institucioneve të drejtësisë, pikërisht aty ku Bashkimi Europian ka pasur fokusin kryesor. Ekspertët ngrejnë shqetësime se këto zhvillime rrezikojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në këtë vlerësim, duke e kthyer procesin e integrimit në një provë të pjekurisë institucionale të vendit.
Shqipëria në shqyrtim në tavolinën e COELA-s
Ndërsa tik-taku i orës drejt vitit 2027 afrohet, ethet për përmbushjen e detyrave që do ta çonin Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian po rriten.
Mbledhje të njëpasnjëshme që prej 6 marsit kanë mbajtur në tryezë përfaqësuesit e shteteve anëtare të Bashkimit Europian, të cilët po shqyrtojnë progresin e Shqipërisë.
Në mbledhjet me dyer të mbyllura, përfaqësuesit e shteteve anëtare diskutojnë rresht për rresht tekstin e pozicionit të përbashkët të BE-së për Shqipërinë, i dorëzuar nga Komisioni Europian që në 26 Shkurt, një dokument që kërkon konsensusin e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Dikutimet lidhen me atë që konsiderohet si bërthama e procesit të integrimit , të njohur si “Themeloret”, grupkapitulli i parë i cili përfshin reformat në drejtësi, shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit, të drejtat themelore dhe funksionimin e institucioneve demokratike, fusha që përbëjnë pjesën më të ndjeshme të Bashkimit Europian.
Ekspertja e Integrimit Europian Meljana Bregu, thekson se momenti i tanishëm është vendimtar pasi përcakton drejtimin e procesit.
“Momenti në të cilin ndodhet procesi i integrimit është delikat, por edhe shumë i rëndësishëm. Një vlerësim pozitiv do ta vendoste integrimin e vendit në një drejtim më të sigurt dhe do të lejonte avancimin drejt mbylljes së kapitujve, veçanërisht pas vlerësimit të kapitujve që lidhen me drejtësinë dhe të drejtat themelore.” – tha ajo për “shteg.org”.
Por, raportime mediatike bëjnë me dije se një numër i konsiderueshëm i shteteve anëtare të Bashkimit Europian kanë ngritur kritika, që mund të rrezikojnë integrimin e Shqipërisë. Këto zëra janë mohuar nga kryeministri Rama, por fakti që nga takimet e herëpashershme ambasadorët e BE-së nuk arrijnë të dakordësohen, lë hapësira për të menduar se ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët.
Përplasjet me SPAK rrezikojnë integrimin
Vlerësimi i BE-së nuk zhvillohet në një vakum politik, përkundrazi ndërsa në Bruksel po “peshohet” progresi i Shqipërisë, zhvillimet në Tiranë janë shoqëruar me tensione politike.
Një prej më kryesorëve, i reflektuar në marrëdhënien mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë. Rasti i ish-zv/kryeministres Belinda Balluku dhe vendimi për mos-heqjen e imunitetit të deputetit, çka pengoi masën e arrestit të kërkuar nga SPAK u shndërrua në një moment konkret sfide.
Ky episod u pasua nga një përshkallëzim i drejtpërdrejtë i toneve të kryeministrit Rama ndaj SPAK, institucion i krijuar nga reforma në drejtësi, si një nga kushtet bazë që Bashkimi Europian vendos për procesin e anëtarësimit.
Për herë të parë, u shfaq një “krisje” në raportin me këtë strukturë, pikërisht ndaj institucionit që deri më atë moment, ishte paraqitur nga kryeministri si “kartë fitoreje” dhe përdorej si argumenti kryesor i suksesit të reformës në drejtësi, sa herë që numëronte ato që i quante suksese të qeverisë së tij në kuadër të anëtarësimit.
Eksperti i Integrimit Europian Valmir Visha, tha në një intervistë për “shteg.org” se këto zhvillime nuk ishin të papritura, por erdhën si sinjale të një tensioni më të thellë institucional.
“Rastet e fundit të korrupsionit dhe përplasjet ndërmjet ekzekutivit dhe gjyqësorit nxorën në pah një përballje që deri tani është përpjekur të mbahet e fshehur,” – tha Visha.
Përtej retorikës, rasti “Balluku” u shoqërua edhe me një proces të zgjatur institucional. Për më shumë se tre muaj, çështja u zvarrit mes dështimeve të mbledhjeve të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit dhe hapave të mëtejshëm ligjorë, përfshirë edhe ankimin në Gjykatën Kushtetuese nga vetë kryeministri, me argumentin se pushteti gjyqësor po tejkalonte kompetencat e tij.
Por ajo që në Tiranë u trajtua si një ndërhyrje kompetencash të kryeministrit, në Bruksel duket se lexohet në një tjetër prizëm.
Ekspertët theksojnë se mënyra si artikulohet kjo përplasje ka ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin e partnerëve europianë.
“Reagimet e ashpra ndaj sistemit të drejtësisë mund të reflektojnë negativisht në perceptimin e BE-së dhe të shteteve anëtare për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe klimën e bashkëpunimit. Retorika e tillë krijon përshtypjen e ndërhyrjes së politikës në pushtetin gjyqësor,” – thekson Meljana Bregu.
Reagimet ishin të menjëhershme. Ambasadat e huaja të vendeve partnere dolën publikisht, duke theksuar rëndësinë e respektimit të shtetit të së drejtës dhe funksionimit të drejtësisë pa ndërhyrje politike. Ky duhet të ishte një sinjal i qartë se zhvillime të tilla nuk mbeten vetëm çështje të brendshme, por ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën si vlerësohet progresi i vendit.
Por, kryeministri Edi Rama zgjodhi t’u përgjigjej këtyre qëndrimeve me një ton sfidues.
“Dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike.” – deklaroi ai.
Për ekspertët e integrimit, zhvillime të tilla krijojnë një ngërç real në proces, duke ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën si vlerësohet progresi i Shqipërisë në Bruksel.
“Reformat në vend duket se po përballen me një ngërç për interesa të caktuara politike dhe individuale.” – thotë eksperti Visha.
BE teston përtej ligjeve në letër
Shqipëria ndodhet në një fazë kyçe të procesit. Kësisoj, pesha e zhvillimeve politike në vend ndikon drejtpërdrejt mbi atë që Bashkimi Evropian e konsideron si bërthama e integrimit, pasi lidhet me shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Mbi këto elementë, strukturat e Bashkimit Evropian kanë ndërtuar prej vitesh vlerësimet e tyre, përmes raporteve periodike, mes të cilëve edhe raporti “Rule of Law 2025”. Në të përmendet qartazi se tendenca për presion ndaj sistemit të drejtësisë është shqetësimi kryesor.
“Përpjekjet e zyrtarëve publikë apo politikanëve për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin e drejtësisë ngrejnë shqetësime serioze,” – thuhet në raport.
Në të njëjtën kohë, dokumenti njeh progresin e bërë në kuadër të reformës në drejtësi, duke vlerësuar rolin e SPAK për hetimet dhe çështjet në nivele të larta, të cilat konsiderohen ndër zhvillimet më domethënëse të viteve të fundit.
Por paralelisht me këtë progres, raporti evidenton edhe kufizimet e sistemit në tërësi. Korrupsioni vijon të mbetet i përhapur, ndërsa përpjekjet për parandalimin e tij vlerësohen si të pamjaftueshme. Një tjetër problem i theksuar lidhet me funksionimin jo të plotë të mekanizmave institucionalë, çka reflektohet edhe në faktin se referimet drejt SPAK mbeten të kufizuara.
Në këtë rrjedhë, raporti sugjeron se sfida kryesore për Shqipërinë nuk qëndron më te ndërtimi i institucioneve, por te funksionimi i tyre efektiv dhe i pavarur në praktikë.
Sipas ekspertëve, Bashkimi Evropian nuk e mat progresin vetëm me miratimin e reformave apo me numrin e kapitujve të hapur, por me mënyrën si këto reforma funksionojnë në momente konkrete, sidomos kur përballen me presion politik.
“Nëse për qeverinë shqiptare ndërmarrja e hapave formale, si miratimi i reformave, konsiderohet përmbushje e detyrimit institucional, për Bashkimin Evropian fokusi është te implementimi dhe rezultatet konkrete në praktikë. BE insiston që objektivat nuk janë politikë, por objektive, dhe realizimi i tyre duhet të jetë i matshëm,” – thekson Meljana Bregu.
“Orët vendimtare” të COELA
E Premtja e 17 Marsit pritet të mbajë një raund tjetër diskutimesh. COELA, do të mbildhet për shqyrtimet e ndryshimeve të draftit të mëparshëm të përpiluar nga Komisioni Europian.
Në një përgjigje zyrtare, komisioni i tha “shteg.org” se Raporti i përpiluar nga ky institucion që do jetë kryefjala e ditës së nesërme, është pozitiv në vlerësimin e përgjithshëm, duke iu referuar hapjes së grupkapitujve vitin e kaluar. Por, ai njeh njëkohësisht një sërë problematikash që kërkojnë adresim të mëtejshëm.
“Shqipëria duhet të vijojë të forcojë rezultatet konkrete të zbatimit të ligjit në luftën kundër korrupsionit (përfshirë edhe në nivele të larta), si dhe kundër krimit të organizuar, përfshirë trafikun e drogës.” – thuhet në përgjigjen zyrtare për “shteg.org”.
Gjithashtu, Komisioni veçon si problematika edhe lirinë e medias apo angazhimin ndërmjet opozitës dhe mazhorancës.
“Angazhimi gjithëpërfshirës dhe konstruktiv ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, si dhe me të gjithë aktorët e tjerë, është një domosdoshmëri. Fushat që kërkojnë progres të mëtejshëm përfshijnë: lirinë e medias, parandalimin e korrupsionit, reformën zgjedhore, zbatimin e të drejtave të pakicave, të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e pronës.” – shkruhej në përgjigjen zyrtare.
Kësisoj, duket se Shqipëria ka ende rrugë për të bërë në plotësimin e këtyre kërkesave.
Ende nuk dihet nëse dita e nesërme do të finalizohet me një vendim unanim. Por, raportimet mediatike dhe fakti që diskutimet vijojnë prej javësh, tregojnë se vlerësimi mbi progresin e Shqipërisë mbetet ende në proces.
Për kryeministrin Edi Rama, këto dyshime nuk qëndrojnë. Raportimet se disa prej shteteve anëtare kanë shprehur rezerva, ai i ka cilësuar të pavërteta.
“Kjo e 9 shteteve është barsoletë komplet” – tha ai.
Megjithatë, ndërsa në Tiranë integrimi është kthyer në një mesazh që përsëritet në çdo event e dalje publike nga kryeministri Rama, në Bruksel ai matet me kritere konkrete dhe dakordësi mes shteteve anëtare.
“BE vlerëson progresin jo vetëm nga ana teknike, por edhe nga ana e vullnetit politik. ‘Ngërçi’, edhe pse nuk është një bllokim zyrtar, reflekton një mungesë sinergjie midis reformave dhe sjelljes së politikës,” – thekson ekspertja Bregu.
Në këtë kontrast mes retorikës dhe vlerësimit teknik, nesër peshohet realisht procesi i afërt ose jo, i integrimit të Shqipërisë.
Marrë nga Shteg.org