Prokuroria dhe policia kanë zhvilluar ditët e fundit një operacion kundër disa Call Center-ave në Tiranë, të dyshuara për mashtrime ndaj qytetarëve austriakë dhe gjermanë, në një hetim që kishte nisur prej 2-3 vitesh dhe u finalizua pas insistimit të autoriteteve të huaja.
Burimet thonë se ndërhyrja është shtyrë në kohë nga policia dhe është konkretizuar vetëm pas presionit të vazhdueshëm të autoriteteve austriake, të cilat kanë ndjekur nga afër zhvillimet dhe kanë kërkuar ndërhyrje konkrete në terren.
Në dëshmi të mbledhura gjatë hetimit, një prej punonjësve të këtyre Call Center-ave ka deklaruar se një drejtues policie merrte pagesë mujore të majme, duke konfirmuar dyshimet mbi përfshirjen e niveleve më të larta të strukturave të policisë në këtë aktivitet.
Këto pretendime kanë shtuar pikëpyetjet mbi rolin e drejtuesve të policisë dhe mungesën e reagimit për një aktivitet që prej kohësh është raportuar si problematik.
Deri më tani, ndërhyrja është përqendruar te punonjës të nivelit të mesëm dhe të ulët të Call Centerave, ndërsa për organizatorët dhe personat në nivele drejtuese nuk ka ende masa konkrete.
Kjo situatë ngre pyetje mbi hetimin e plotë të zinxhirit të përgjegjësisë dhe mbi faktin nëse do të ketë zhvillime të mëtejshme për personat e dyshuar në nivele më të larta.
Gjatë aksionit janë goditur tre Call Center-a, dy pranë zonës së Kopshtit Zoologjik dhe një në Rrugën e Kavajës.
Sipas hetimeve, këto qendra funksiononin si rrjete mashtrimi duke kontaktuar qytetarë në vende të Bashkimit Europian, Kanada dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në momentin e ndërhyrjes janë konstatuar rreth 70 punonjës në aktivitet, ndërsa vetëm në njërën prej qendrave janë gjetur rreth 60 persona.
Në kuadër të hetimeve janë lëshuar shtatë masa sigurie “arrest në burg”.
Marrë nga Skyweb.al