Biznesi i pistë e asgjesimit të mbetjeve spitalore ka qenë një më fitimprurësit për disa kompani, të cilat deri para pak kohësh kacafyteshin dhe akuzonin njëra-tjetrën, apo pronarët e tyre, për abuzime të mëdha në bërjen e dokumenteve. Aktualisht, pas hyrjes në “lojë” me letra të oligarkut Klodjan Allajbeu, pronari i Spitalit Amerikan, firmat kanë filluar bashkëpunimet, madje në disa raste i hapin “rrugën” për të marrë tendera në spitalet universitarë, rajonalë apo edhe lokalë.
Redaksia ka analizuar dokumente të reja, përkatësisht një vendim të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, të datës 16 prill 2026, e cila e ka nxjerrë fitues Mirin për një tender me vlerë 365 mijë euro për asgjesimin e mbetjeve spitalore. Dokumentet e përpiluara nga institucionet shtetërore duket se i përshtaten më së miri kësaj firme, pasi megjithëse ka ofruar më shumë sesa konkurenti, sërish është shpallur fituese.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, në datën 16 prill 2026, OBP ka shpallur fituesin e tenderit të hapur pak javë më parë. Objekti i tenderit është “trajtim dhe asgjesim i mbetjeve të rrezikshme spitalore”, me një fond limit prej 35,204,880 lekë ose 364,628 euro pa tvsh. Kohëzgjatja e tenderit është 24 muaj.
Në dokumente shkruhet se kriteret e përzgjedhjes së fituesit është oferta ekonomikisht e favorshme bazuar në kosto dhe jo në çmim. Pikërisht ky kriter lë shumë vend për diskutime, pasi nuk fiton gjithmonë firma që ofron më pak, por ajo që plotëson letrat e institucioneve shtetërore.
Ndërkohë, operatori ekonomik V.A.L.E. RECYCLING ofroi 34,830,360 lekë pa TVSH. Megjithëse ka ofruar dukshëm më shumë, rreth 50 mijë euro, kompania e Elvis Mirit mori 249,9 pikë. Më pas, u shpall edhe fituese.
Metamorfoza e Elvis Mirit për një periudhë të shkurtër është mbreslënëse, pas një seri ulje ngritjesh. Prokuroria e Tiranës e akuzon për një tender të mëparshëm të Spitalit Shefqet Ndroqi, të cilën e ka fituar me letra false. Ndërkohë, vetë ky spital e shpalli Mirin dhe Allajbeun fitues të tenderit në vitin 2025.
Metamorfoza është ndryshim i madh dhe i dukshëm që pëson dikush a diçka. Kështu ka ndodhur edhe me Elvis Mirin, i cili në vitin 2025 fitoi tenderin e majmë prej 1.2 milionë eurosh nga Senatoriumi. Në datën 2 maj 2025 ai u shpall fitues, teksa në fund të muajit maj po 2025, Prokuroria e Tiranës nxori një njoftim ku lajmëronte se kishte përfunduar hetimet për Mirin dhe disa zyrtarë të tjerë për abuzime të mëdha në marrjen e tenderëve.
Vox News ka raportuar në disa investigime këtë skemë të dyshuar kriminale, të asgjesimit të mbetjeve spitalore. Redaksia jonë ka analizuar edhe procedura të mëparshme, ku dy firmat kanë përplasur “brirët”, teksa në letra shkruajnë për favorizime për njërën apo tjetrën. Madje, Elvis Miri u arrestua në vitin 2024, ku “çudia” zgjati vetëm disa javë, pasi ai u lirua dhe me vendim gjykate hoqi edhe pezullimin për të marrë pjesë në tendera.
Elvis Miri u arrestua në qershor të vitit 2024 për abuzime me dokumentet që merrte pjesë në tenderat e mbetjeve spitalore. Ai u akuzua se ka marrë pjesë në mbi 200 tendera për asgjësim mbetjesh spitalore, prej vitit 2016, teksa ka akuzohet se ka mashtruar në lidhje me pajisjet e kompanisë.
“Mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale ‘falsifikimi i dokumenteve’, ‘menaxhimi i mbetjeve’ dhe ‘aktivitetet e rrezikshme’” tha policia në 2024-ën. Krahas tij u akuzuan edhe disa inspektore të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. “Nga hetimi rezultoi se i mungonin pajisjet për ta realizuar një gjë të tillë” do të deklaronte policia.
Pas hetimeve dhe arrestimit, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit i pezulloi lejen mjedisore këtij subjekti. Firma i është drejtuar gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, ku ndër të tjera, ka kërkuar sigurimin e padisë për pezullimin e zbatimit të këtij akti. Kjo gjykatë ka pranuar kërkesën “duke pezulluar zbatimin e aktit administrativ deri në zgjidhjen përfundimtare të cështjes administrative”.
Disa muaj pas hetimeve dhe arrestimeve, Elvis Miri fillimisht u lirua nga gjykata dhe më pas, në muajin janar 2025, u rikthye si administrator i firmës “V.A.L.E RECYCLING”. Operacioni, sipas këtyre dokumenteve dhe veprimeve, rezultoi vetëm një “flluskë”, pasi ai arriti që brenda disa muajsh të rikthehej në tenderat publikë.
Marrë nga VoxNews.al