Gazsjellësi Transadratik njoftoi fillimin e punimeve për ndërtimin e pikës së daljes së gazit në Fier.
“TAP ka filluar fazën e zbatimit të projektit të pikës së daljes së gazit në Fier, duke përdorur pikën ekzistuese të daljes të instaluar gjatë fazës së ndërtimit të TAP në Stacionin e Kompresorit të Gazit ACS03 pranë Fierit,” tha konsorciumi.
TAP AG vuri në dukje se fushëveprimi i projektit përfshin ndërtimin e një impianti matës të gazit dhe reduktimit të presionit ngjitur me ACS03, i projektuar për të furnizuar me gaz një tubacion të ardhshëm gazi në rrjedhën e poshtme.
“Kontrata e Inxhinierisë, Prokurimit dhe Ndërtimit (EPC) iu dha kontraktorit në vitin 2025. Aktivitetet e inxhinierisë dhe prokurimit janë aktualisht në vazhdim, me punimet e ndërtimit në vend që pritet të fillojnë në mesin e vitit 2026. Data e planifikuar e përfundimit për projektin është tremujori i katërt i vitit 2027,” tha konsorciumi.
Pika e daljes në Fier përfaqëson një investim multimilionësh nga TAP dhe do t’i dorëzohet qeverisë shqiptare pas përfundimit, e cila sipas marrëveshjes së nënshkruar që nga koha e ndërtimit të gazsjellësit do të jetë pronarja e pikës së daljes.
Kjo pikë bën të mundur furnizimin e Shqipërisë me gaz, por ka një problem. Shqipëria nuk di ku ta çojë gazin, pasi qeveria nuk ka ndërtuar rrjet shpërndarje dhe as ka një projekt konkret për përdorimin industrial.
Prej vitesh, një nga veprat që është përfolur se mund të furnizohej me gazin natyror të TAP ka qenë Termocentrali i Vlorës. Por kjo vepër e ndërtuar për të prodhuar energji me naftë, nuk u përshtat asnjëherë, që të funksionojë me gaz.
Pesë vjet më parë qeveria njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje me exxon mobil dhe excelerate për transfromimin e termocentralit të Vlorës. “Marrëveshja konsiston në investimin për transformimin e TEC-it të Vlorës, duke e kthyer në një TEC me gaz të lëngshëm,” pati njoftuar në atë kohë ish ministrja e energjisë Belinda Balluku. Por fati i marrëveshjes nuk u morë vesh asnjëherë.
Ndërkohë gjatë muajve të fundit, Shqipëria është përfolur si pjesë e një tjetër marrëveshje me një grup amerikane dhe kompaninë greke Aktor, e cila parashikon shndërrimin e vendit në një qendër për gazin e lëngshëm.
Me pak fjalë një lëmsh marrëveshjes dhe projektesh që kundërshtojnë njërin tjetrin, të cilët në fund përfundojnë gjithmonë në asgjë. Si rrjedhim tashmë që Shqipëria ka pikën e daljes së gazit në Fier, qeveria nuk di ku ta çojë.
Marrë nga Kapitali.al