Komiteti për Punët e Jashtme në Parlamentin Europina ka miratuar me 58 vota pro, raportin për Shqipërinë për vitin 2025. Në këtë raport të përgatitur nga Raportuesi për Shqipërinë në PE, Andreas Schieder, vlerësohet progresi i vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë theksohet nevoja për reforma më të thella dhe të qëndrueshme.
“Shkurtimisht, dua së pari të falënderoj të gjithë raportuesit në hije për negociatat shumë efikase, konstruktive dhe të suksesshme. Së dyti, dua të nënvizoj se Shqipëria konsiderohet gjithashtu nga Komisioneri ynë si një nga dy vendet kryesuese në procesin e zgjerimit. Këtë jemi përpjekur ta pasqyrojmë edhe në këtë raport, por përtej çështjeve të trajtuara në raportin e Komisionit, kemi dashur të theksojmë edhe disa elemente të tjera—konkretisht që reformat duhet të reflektohen edhe në jetën e përditshme të qytetarëve. Dhe veçanërisht, jemi përpjekur të vendosim fokus edhe te situata sociale në Shqipëri”, tha Schieder.
Gjithshtu, raporti vlerëson angazhimin e Shqipërisë për integrimin në BE, duke theksuar konsensusin e gjerë ndërmjet partive politike dhe mbështetje të fuqishme nga qytetarët për këtë proces.
Shqipëria ka hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave për anëtarësimin brenda 13 muajsh dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për reformën në drejtësi me vlerësim të veçantë punën e SPAK-ut.
Përmirësimi i sistemit zgjedhor, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, mbetet një tjetër çështje kyçe, sipas raportit.
Raporti vlerëson gjithashtu angazhimin e Shqipërisë për politikën e jashtme të BE-së dhe stabilitetin rajonal, pasi bashkëpunimi me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor shihet si një element kyç i procesit të zgjerimit.
Marrë nga Zëri.al