“La dolce vita” nuk ekziston më.
Bregdeti ikonik i Amalfi Coast vazhdon të mbushet me turistë dhe pasagjerë anijesh kroçiere, ndërsa turmat me atlete dhe aparate fotografike po bllokojnë rrugët e fshatrave, duke detyruar banorët e zemëruar të mbyllen në shtëpitë e tyre.
Në jug të Napolit, qytetet kartolinë përgjatë Amalfi-t kanë qenë prej kohësh destinacione për ata që kërkojnë “jetën e mirë”, nga Elizabeth Taylor deri te Kylie Jenner.
Por me rritjen e turizmit të influencerëve, këto vende janë kthyer më shumë një “kaos” sesa një strehë e qetë.
“Positano është plot me rrugica shumë të ngushta dhe të gjithë ecin bashkë. Gjysma ngjiten dhe gjysma zbresin. Ishte kaos i plotë. Të gjithë preknin njëri-tjetrin, shpatull më shpatull,” tha një turist amerikan i zhgënjyer që vizitoi Positanon verën e kaluar.
Pamjet video nga fundjava e kaluar tregojnë sërish këtë kaos, me një kalim të ngushtë të bllokuar plotësisht nga turistët.
Banorët janë të revoltuar, duke e parë këtë si shenjë të një përkeqësimi të situatës para sezonit të verës.
“Për kryebashkiakët dhe administratorët e Amalfi-t, kjo rrëmujë u pëlqen; ndryshe do kishin vendosur masa,” tha banori lokal Antonio Attianese.
“Ka vite që vazhdon kështu dhe çdo vit përkeqësohet,” shtoi ai.
Ish-kryebashkiaku Salvatore Gagliano, pronar i hotelit me pesë yje “Grand Hotel Tritone” në Praiano, tha se turma turistësh bllokuan jo vetëm rrugët e këmbësorëve, por edhe rrugët e ngushta të bregdetit.
“Këto janë skena si në botën e tretë,” tha ai për The Telegraph.
“Rrugët janë të ngushta. Kur bllokohen, ka kaos total.”
Ai pretendon se turistët ditorë, po shkatërrojnë imazhin luksoz të Amalfi-t. Ai shton se klientët e hotelit të tij, që paguajnë mbi 2,200 dollarë për natë, nuk duan të dalin nga hoteli për shkak të turmave. Banorët fajësojnë edhe pasagjerët e anijeve kroçiere për mbipopullimin.
“Duhet rregull që t’i ndalojmë pasagjerët të zbresin nga kroçierat,” tha Gagliano.
“Nuk përballojmë dot kaq shumë njerëz.”
Ndjenja e mbingarkesës ndahet si nga vizitorët ashtu edhe nga banorët.
“Duhet kontroll më i mirë. Nuk mund të vijnë grupe prej 40 personash dhe të bllokojnë gjithçka,” tha një komentues.
“E kemi arritur kufirin tonë,” shkroi një banor në Facebook.
“Duhet të mbyllemi në shtëpi sepse ende nuk kemi mësuar të fluturojmë.”
Kryetari aktual i bashkisë, Daniele Milano, tha se autoritetet nuk mund të ndalojnë kroçierat ose zbarkimin e pasagjerëve. Megjithatë, ai pranoi se duhen masa më të forta për të menaxhuar turizmin e tepruar. Qeveria lokale kërkon rregulla të posaçme për destinacionet më të vizituara.
Marrë nga New York Post