Tregu shqiptar i telekomunikacionit po hyn në një transformim më të thellë sesa duket në pamje të parë. Nëse dikur operatorët konkurronin kryesisht me minuta telefonatash dhe SMS, sigurisht edhe me përshtatjen e paketave me flesibilitet dhe çmime të përballueshme, sot sjellja e konsumatorit është zhvendosur pothuajse tërësisht drejt internetit, platformave sociale dhe konsumit të vazhdueshëm të të dhënave celulare.
Në fakt, pyetja reale tani nuk është më sa minuta përfshin një paketë apo sa SMS ofron një operator. Çështja është se si mund të mbështeësi një operator mënyrën se si njerëzit jetojnë sot digjitalisht.
Të dhënat e AKEP tregojnë qartë këtë ndryshim strukturor. Konsumi i të dhënave, pra internetit mobile në Shqipëri vijon të rritet me ritme të forta, gati 23% në 3-mujorin e fundit të vitit 2025, ndërkohë që telefonatat tradicionale dhe SMS-të po bien vazhdimisht, respektivisht me 6% dhe 9.6%. Një përdorues aktiv i shërbimeve celulare ka konsumuar mesatarisht rreth 11 GB të dhëna, 136 minuta telefonata dalëse dhe vetëm 12 SMS.
Kjo do të thotë se shqiptarët po e përdorin telefonin më shumë se kurrë më parë, por jo më për funksionin klasik të telekomit. Telefoni është kthyer në një portë të përhershme interneti: për TikTok, Instagram, Facebook, video, komunikim përmes aplikacioneve, punë online, pagesa dhe konsum të pandërprerë informacioni.
Në realitet, modeli klasik i tregut të telekomunikacioneve nuk reflekton më jetën reale të konsumatorit dhe kërkesat e tyre. Shqiptarët nuk e matin më eksperiencën e tyre me “sa minuta kanë mbetur”, apo “edhe sa SMS mund të dërgoj”, por me cilësinë e lidhjes, sasinë e të dhënave dhe aftësinë për të qëndruar online pa ndërprerje. Në fakt, ajo që shpenzohet më shpejt dhe që duhet ndonjëherë edhe të bësh paketa shtesë është interneti, asnjëherë minutat apo SMS-të.
Ky transformim lidhet edhe me hyrjen e Shqipërisë në një fazë adoptimi masiv digjital. Penetrimi i internetit ka kaluar mbi 85%, ndërsa rreth 92% e familjeve kanë akses në internet. Përdorimi i rrjeteve sociale dhe platformave video është rritur ndjeshëm, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit komunikojnë, informohen dhe konsumojnë përmbajtje.
Interneti nuk konsiderohet më një shërbim shtesë apo luks teknologjik. Ai është kthyer në infrastrukturë bazë të jetës së përditshme, njësoj si energjia elektrike apo uji. Dhe kur një shërbim bëhet infrastrukturë, ndryshojnë edhe pritshmëritë e konsumatorit.
Përdoruesit nuk duan më të mendojnë vazhdimisht sa MB kanë, kur duhet të bëjnë rimbushje apo të kontrollojnë balancën çdo ditë. Ata kërkojnë lidhje të vazhdueshme, përdorim pa stres dhe internet që funksionon në çdo moment të ditës.
Në këtë kontekst, po ndryshojnë edhe pritshmëritë ndaj roamingut dhe përdorimit të internetit jashtë vendit. Me rritjen e udhëtimeve, lëvizjes drejt vendeve europiane dhe integrimit të stilit të jetesës digjitale, konsumatori shqiptar pret gjithnjë e më shumë që telefoni i tij të funksionojë njësoj edhe jashtë kufijve.
Mentaliteti i ri është i qartë: njerëzit nuk duan që jeta e tyre digjitale të ndërpritet sapo kalojnë kufirin. Përkundrazi, aty mund të kenë nevojë edhe më shumë për konektivitet. Ata presin të përdorin Google Maps, Instagram, WhatsApp, videot apo aplikacionet e punës në të njëjtën mënyrë si në Shqipëri, pa stres dhe mbi të gjitha pa kosto “të fshehta” apo të paparashikuara.
Në këtë pikë, tregu shqiptar po afrohet gjithnjë e më shumë me sjelljen europiane të konsumatorit digjital. Dhe kjo do të detyrojë të gjithë industrinë të përshtatet me një realitet të ri.
Për këtë arsye, pyetja më e rëndësishme për tregun nuk është më “Kush ka ofertën më të lirë?”. Por, pyetja thelbësore është: “Cili operator po arrin të përshtatet dhe të ofrojë atë që njerëzit duan në realitetin e tyre të ri digjital?
Sepse telefonia nuk po matet më me minuta, as me SMS. Po matet me eksperiencë digjitale.
Marrë nga Ekofin.al