Kancelari gjerman Friedrich Merz ka propozuar krijimin e një statusi të ri për Ukrainën në Bashkimin Evropian, si një hap të ndërmjetëm drejt anëtarësimit të plotë në bllok.
Kancelari gjerman kërkon gjithashtu që vendet anëtare të BE-së të angazhohen politikisht për të zbatuar klauzolën e ndihmës së ndërsjellë ndaj Ukrainës, me qëllim forcimin e garancive të sigurisë për Kievin.
Sipas analistëve, një rrugë më e qartë drejt BE-së mund ta ndihmojë presidentin Volodymyr Zelensky të mbështesë çdo marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë, sidomos nëse Ukraina nuk arrin të rikthejë të gjitha territoret e pushtuara ose të anëtarësohet në NATO.
Megjithatë, zyrtarët evropianë pranojnë se anëtarësimi i plotë i Ukrainës në BE mbetet një proces i gjatë dhe i vështirë.
Anëtarësimi kërkon miratimin unanim nga të 27 vendet anëtare të BE-së, si dhe reforma të shumta politike, ekonomike dhe ligjore.
Merz propozon që Ukraina të ketë:
një komisioner të asociuar në Komisionin Evropian pa të drejtë vote,
si dhe përfaqësues pa të drejtë vote në Parlamentin Evropian.
Gjermania kërkon diskutim të shpejtë në BE
Kancelari gjerman tha se synon ta diskutojë propozimin me liderët evropianë në javët e ardhshme. “Qëllimi është të arrihet shpejt një marrëveshje dhe të krijohet një task-forcë për detajet”, shkroi Merz në letrën e tij.
Ai shtoi se modeli i ri nuk do të ndikonte negativisht tek vendet e tjera kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Marrë nga Reuters