Deklarata e ministres serbe Snezhana Paunoviç për Kosovën vijon të sjellë reagime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në një intervistë të gjatë, ministrja në qeverinë e Vuçiçit, tha se po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën. •
Në lidhje me këte ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, i cili thekson se në Evropë nuk duhet të ketë vend për retorikë që arsyeton dhe promovon spastrimin etnik. Sipas BE-së, deklarata të tilla nuk janë në përputhje me detyrimet që Serbia ka marrë përsipër në kuadër të dialogut me Kosovën.
Nga ana tjetër, një pjesë e opozitës serbe po kërkon shkarkimin e saj nga detyra, ndërsa kërkesës i është bashkuar edhe deputeti i Partisë për Veprim Demokratik në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Ministrja serbe Snezhana Paunoviç ka kërkuar falje publike ndaj presidentit Vuçiç dhe qeverisë pas reagimeve të forta ndaj deklaratës së saj për “spastrimin etnik të Kosovës”. Ajo falënderoi Partinë Socialiste për mbështetjen dhe akuzoi opozitën dhe mediat për përdorim politik të kësaj çështjeje.
Paunoviç e cilësoi si paradoks vendimin e Kosovës për ta shpallur “non grata”, duke theksuar se ndalimi i hyrjes së saj në territorin kosovar ka katër vite që është në fuqi.
Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre. Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.
Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka publikuar një komunikatë, përmes së cilës një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike dënon ashpër deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç kundër Kosovës.
Në komunikatë theksohet se Mbretëria e Bashkuar mbështet përpjekjet për stabilitet dhe bashkëjetesë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa retorika që mund të nxisë përçarje konsiderohet e papranueshme.
Marrë nga Dosja.al