Bashkitë shqiptare nuk ushtrojnë ose kryejnë në mënyrë shumë të kufizuar gjashtë funksione që lidhen kryesisht me zhvillimin ekonomik vendor, mbështetjen e biznesit, bujqësinë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Funksionet me performancën më të ulët janë : Zhvillimi ekonomik vendor, Mbështetja për biznesin e vogël , organizimi i shërbimeve në mbështetje të zhvillimit ekonomik, informacioni dhe këshillimi për bujqësinë dhe zhvillimin rural, mbrojtja e biodiversitetit, mbrojtja e ajrit, ujit dhe tokës, si dhe administrimi i ndotjes akustike.
Raporti nënvizon se për këto funksione nuk janë konsoliduar organizimi institucional, burimet njerëzore dhe financimi në përputhje me përgjegjësitë që ligji u ka ngarkuar bashkive.
Vlerësimi është mbështetur në shqyrtimin dokumentar për të 61 bashkitë, në vlerësime në terren në një kampion prej 15 bashkish dhe në të dhënat e Sistemit Kombëtar të Matjes së Performancës.
Ligji për vetëqeverisjen vendore u njeh bashkive përgjegjësi për zhvillimin ekonomik, ngritjen dhe funksionimin e tregjeve publike, mbështetjen e sipërmarrjes dhe promovimin e produkteve dhe shërbimeve vendore. Por pjesa më e madhe e bashkive nuk kanë struktura të specializuara, personel dhe financim të dedikuar për këto detyra.
Administrata vendore përqendrohet kryesisht te funksionet administrative dhe shërbimet e përditshme, ndërsa politikat për tërheqjen e investimeve, mbështetjen e sipërmarrjeve, nxitjen e punësimit dhe zhvillimin e sektorëve vendorë mbeten të dobëta.
Ky boshllëk është më i ndjeshëm në bashkitë e vogla dhe rurale, ku baza ekonomike është e kufizuar dhe nevoja për politika aktive zhvillimi është më e lartë. Të njëjtat bashki kanë më pak mundësi për të punësuar specialistë, për të përgatitur projekte dhe për të përfituar nga programet kombëtare ose fondet e Bashkimit Europian.
Sipas Sistemit të Matjes së Performancës, bashkitë shqiptare kishin mesatarisht vetëm 1marrëveshje bashkëpunimi ndervendore, ndërsa niveli mesatar i suksesit në projektet e financuara nga BE-ja ishte rreth 36.4%.
Informacioni dhe këshillimi për bujqësinë dhe zhvillimin rural është një tjetër funksion që rezulton i pa-ushtruar ose i ushtruar në mënyrë shumë të kufizuar.
Bashkitë duhet të informojnë dhe këshillojnë fermerët, të mbështesin zhvillimin rural dhe të ndihmojnë në organizimin e shërbimeve që lidhen me prodhimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore. Por mungesa e agronomëve, specialistëve të zhvillimit rural dhe strukturave të dedikuara e ka kufizuar ushtrimin e këtij funksioni.
Dy funksionet e tjera me performancën më të ulët lidhen me mbrojtjen e biodiversitetit dhe kontrollin e ndotjes së ajrit, ujit, tokës dhe zhurmave.
Bashkitë kanë përgjegjësi ligjore në mbrojtjen e mjedisit vendor, por raporti evidenton se këto kompetenca nuk janë shoqëruar me burimet dhe strukturat e nevojshme. Në shumë njësi mungojnë specialistët e mjedisit, sistemet e monitorimit dhe buxhetet e posaçme.
Reforma e vitit 2014 dhe procesi i decentralizimit u transferuan bashkive funksione të reja, por në disa raste burimet financiare dhe njerëzore nuk u përshtatën me përgjegjësitë.
Transferta sektoriale u rrit nga 7.5 miliardë lekë në vitin 2016 në 11.7 miliardë lekë në vitin 2024, por pjesa kryesore e saj vazhdon të përdoret për paga dhe shpenzime të detyrueshme, teksa hapësira për politika zhvillimi dhe investime mbetet e kufizuar.
Marrë nga Monitor