Ka shkuar në 12 numri i personave të arrestuar në lidhje me vrasjen e turistit portugez në Ksamil, ngjarje për të cilën autoritetet dyshojnë se autori e ka goditur viktimën disa herë me thikë.
Në pranga ka përfunduar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër dhe me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Sipas raportimeve, ai dyshohet se ka ndihmuar 29-vjeçarin Sokrat Vata të largohej pas ngjarjes.
Nga hetimet rezulton se Matushaj punonte gjithashtu si bodyguard i kompanisë “Elite Security”, së bashku me Sokrat Vatën, në lokalin “Principote”.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim Bekim Bulicën, pronarin e lokalit “Principote”. Sipas të dhënave të publikuara, ai rezulton pronar në hije i hotelit, ndërsa në dokumentacion pronare figuron nëna e tij, Kade Bulica, 72 vjeçe.
Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se ka nisur për motive të dobëta, ndërsa një prej pistave që po verifikohet nga autoritetet lidhet me një konflikt për një femër.
Viktima, Miguel Mendes, kishte mbërritur në Ksamil së bashku me një grup turistësh për të kaluar pushimet në jug të Shqipërisë.
29-vjeçari Sokrat Vata, banues në Has dhe i punësuar si roje plazhi në hotelin “Principote”, u largua nga vendi i ngjarjes pas krimit. Pas kontrolleve të policisë, ai u lokalizua dhe u arrestua në Fier.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe rolin e secilit prej personave të arrestuar apo të shpallur në kërkim.
Marrë nga Hashtag.al