Detajet kanë zbardhur masakrën e ndodhur në fshatin Mgull të Dukagjinit, në Shkodër, ku pasditen e së dielës babë e bir u ekzekutuan në një atentat mafioz. 82-vjeçari Prelë Gjoni dhe djali i tij, 57-vjeçar Lekë Gjoni, humbën jetën në vendngjarje, ndërsa personi i tretë Lazër Bashi që ndodhej në automjet, i ulur në sediljen e pasme, mbeti i plagosur dhe ndodhet ne Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Tre personat po udhëtonin drejt Shkodrës kur u zunë pritë nga autorët në fshatin Xhan. Fuoristrada që drejtohej nga Lekë Gjoni është qëlluar me breshëri plumbash, duke bërë që automjeti të dalë nga rruga dhe të përfundojë në një anë të saj. Në vendngjarje janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja. Burimet bëjnë me dije se është qelluar nga dy arme duke ngritur dyshimin se të paktën dy persona kanë marrë pjesë në këtë atentat si qitës. Menjëherë pas krimit, autoret janë larguar nga vendngjarja me fuoristrade, dhe pak kilometra larg vendit te ngjarjes është gjetur nje automjet që dyshohet se është përdoruar nga autoret gjate atentatit.
Rrethanat vijojnë të mbeten mister. Policia po punon për identifikim dhe kapjen e autoreve te dyshuar si dhe përcaktimin e motivit te krimit te dyfishte. Njeri nga viktimat, Lekë Gjoni ishte baba i katër fëmijëve, i divorcuar së fundi. Megjithatë, ky element nuk është një pistë e fortë për hetuesit. Hetimet janë mbështetur ne disa pista, kryesisht ajo e gjakmarrjes apo konflikte të hershme që mund te ketë patur fisi Gjoni.
Marrë nga Syri.net