Nelson Hysa vazhdon të jetë i pamposhtur! Boksieri shqiptar regjistroi një tjetër fitore bindëse në ring, duke mposhtur norvegjezin Thomas Narmo në vetëm dy raunde, në një duel mes dy peshave të rënda që hynin në këtë përballje pa asnjë humbje në karrierë.
Hysa, 41 vjeç, ishte pjesë e mbrëmjes së boksit të zhvilluar të shtunën në O2 Arena të Londrës, në kuadër të eventit ku u përballën Moses Itauma dhe Filip Hrgovic.
Shqiptarit i mjaftuan vetëm 36 sekonda në raundin e dytë për ta mbyllur duelin. Hysa goditi Narmon me një të djathtë të fuqishme mbi një tentativë të ngadaltë të norvegjezit dhe e rrëzoi përtokë.
Narmo arriti të ngrihej, por ishte dukshëm i tronditur dhe qëndronte me vështirësi në këmbë. Për këtë arsye, arbitri ndërhyri dhe ndali menjëherë përballjen, duke i dhënë fitoren Hysës. Mjekët hynë në ring për t’i dhënë ndihmën e nevojshme norvegjezit, i cili fatmirësisht u largua nga ring-u në këmbët e tij.
Me këtë sukses, Nelson Hysa e çon rekordin e tij në 25 fitore dhe asnjë humbje (25-0) dhe tashmë kërkon një mundësi për të luftuar për titull.
Por pas fitores, situata u tensionua edhe jashtë ringut. Hysa u përplas verbalisht me boksierin gjerman Agit Kabayel pranë vendeve të spektatorëve. Siguria ndërhyri përpara se situata të përshkallëzohej.
Kabayel deklaroi se Hysa po pretendon një përballje me të, ndërsa tha se është i gatshëm të ndeshet me shqiptarin në Gjermani.
“Le të vijë në Gjermani, jam gati. Është para e lehtë dhe një luftë e lehtë”, u shpreh Kabayel.
Nga ana tjetër, Hysa ishte i qartë në deklaratën e tij pas përballjes, duke kërkuar një tjetër emër të madh në kategorinë e peshave të rënda.
“Shkova te Kabayel sepse ai vazhdon të më shmangë. Të gjithë po largohen. Jam 25-0 dhe duhet të luftoj për titullin”, tha Hysa.
Më tej, boksieri shqiptar iu drejtua promotorëve të tij me një kërkesë të qartë: “Frank, George, më jepni një boksier të nivelit të lartë. Çfarë është kjo? Unë dua Agit Kabayel dhe të gjithë kampionët.”
Nelson Hysa kërkon tashmë hapin e madh në karrierë: një duel me emrat më të fortë të peshave të rënda dhe një mundësi për titull bote.
Marrë nga SuperSport.al