Një kërkesë-padi e Organizatës Europiane për Sigurinë e Lundrimit Ajror, Eurocontrol ndaj shoqërisë Air Albania sh.p.k., e depozituar në tetor të vitit 2024 pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, për shlyerje të detyrimeve të krijuara në vitet 2023 dhe 2024 në vlerën totale prej 1 milion e 219 mijë eurosh, ka vendosur në lëvizje këtë kompani ajrore ku shteti shqiptar zotëron 10% të kuotave, që të shlyejë borxhet.
Erocontrol është një organizatë ndërkombëtare me personalitetit juridik të pavarur me seli në Bruksel, e krijuar sipas Konventës Ndërkombëtare Eurocontrol dhe mbledh tarifat nga operatorët që ofrojnë shërbimet e lundrimit ajror në shtetet anëtare, për përdorimin e korridoreve ajrore dhe të terminaleve.
Në kërkesë padinë që BIRN e ka parë, Eurocontrol ka parashtruar se, shoqëria Air Albania ka kryer transporte ndërkombëtare prej gushtit të vitit 2023 e në vijim, për të cilët është tarifuar rregullisht. Por, ka rezultuar se nga kompania ajrore nuk është shlyer një pjesë e konsiderueshme e detyrimeve, në masën e 832 mijë eurove, që së bashku me interesat në shumën 154 mijë euro, kanë arritur vlerën e 986 mijë eurove. Po ashtu, nuk ka shlyer detyrimet për tarifat e përdorimit të aeroporteve, në vlerën prej 223 mijë eurosh.
Një vit pas dorëzimit të padisë, Eurocontrol ka depozituar një kërkesë për pakësimin dhe saktësimin e objektit të, që e ka mbështetur në faktin se Air Albania i ka shlyer detyrimet që kishte pasur. Sipas Eurocontrol, shoqëria Air Albania, pasi i është njoftuar padia, i ka shlyer vullnetarisht borxhet.
Nga ana tjetër, Eurocontrol kërkon vijimin e gjykimit, për detyrimin e Air Albania që të shlyejë shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore në vlerën totale mbi 22 mijë euro.
Seanca e radhës përgatitore për këtë çështje është planifikuar të zhvillohet më datë 20 tetor, në orën 12:00. Për arsye të mos marrjes dijeni për seancat e mëparshme nga ana e Air Albania, që është njoftuar më parë me fletë-thirrje të dërguar në adresën zyrtare, Dhoma Civile e Gjykatës së Tiranës, ka urdhëruar që të krryhet shpallje publike për efekt njoftimi në adresën e selisë e kompanisë ajrore në Tiranë, në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si dhe në ambjentet dhe në faqen onlinë të vetë gjykatës.
Kompania ajrore Air Albania u themelua me ndihmën e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan në vitin 2018, me investitorë Türk Hava Yollari a.o.(Turkish Airlines), MDN Investments dhe kompaninë shtetërore Albcontrol. Turkish Airlines zotëron 49% të aksioneve, MDN Investments ka 41% të kuotave dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit 10%.
Sipas një raporti financiar 9-mujor të Turkish Airlines për vitin 2025, Air Albania kishte akumuluar rreth 50 milionë dollarë borxhe të pashlyera ndaj kompanisë mëmë. Më 3 dhjetor të vitit të kaluar, Autoriteti i Aviacionit Civil pezulloi aktivitetin ajror të Air Albania. Me vendim të qeverisë të datës 15 janar të këtij viti, kuotat që Albcontrol sh.a. zotëronte në Air Albania, ju kaluan Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Kompania Air Albania, rezulton ende me status aktiv në QKB.
Megjithë humbjet e mëdha financiare, për vite me radhë kompania Air Albania ka subvencionuar përdorimin e një avioni Airbus-319, konfigurim VIP nga kryeministri Edi Rama, në bazë të një marrëveshje kuadër. Përdorimi i këtij avioni nga kryeministri dhe shpenzimet për operimin e tij kanë qenë burim akuzash nga opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike, e cila ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar. Kërkesa e PD-së është hedhur poshtë nga mazhoranca.
Përmes një marrëveshje të tetorit të vitit të kaluar, kompania turke vendosur t’ia falë Forcave të Armatosura Shqiptare avionin Airbus 319, që më parë është përdorur nga kryeministri shqiptar.
Marrë nga Reporter.al