Biznesmeni izraelit Saniel “Sani” Sanilevich duket se ka hedhur hapat e parë zyrtarë për të hyrë fuqishëm në tregun e ndërtimit të kullave të larta në Shqipëri.
Më 14 tetor 2026, në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) është regjistruar zyrtarisht një kompani e re e quajtur “Needle Tower SHPK”. Kompania ka si objekt aktiviteti projektimin, zhvillimin dhe ndërtimin e objekteve civile, tregtare dhe rezidenciale. Aksioneri i saj është pikërisht Saniel Sanilevich, përmes kompanisë Sea Sun Capital.
Në krye të kompanisë si administratore e saj është emëruar Elle Goren (Elle Hefets Goren), e cila njihet botërisht si Drejtoresha e Operacioneve e kompanisë së Sanilevich, Sanilevich Real Estate and Entrepreneurship në Izrael.
Fakti që krahu i djathtë i Sanilevich dhe partnerja e tij e ngushtë në biznes është vënë në krye të kompanisë së re, konfirmon se biznesmeni izraelit po bëhet gati për një projekt masiv ndërtimi në Shqipëri.
A qëndron Sanilevich pas projektit “The Needle”?
Emri i kompanisë së re, Needle Tower SHPK, përkon në mënyrë të padyshimtë me projektin e bujshëm arkitekturor “The Needle” (Gjilpera), një kullë e planifikuar 200 metra e lartë për t’u ndërtuar në Tiranë.
Fillimisht kjo ishte një kullë parashikohej të ndërtohej në krah të ETC-së, por më vonë projekti ndryshoi vendodhje duke u spostuar në Qytetin Studenti.
Nuk dihet nëse kompania e re e Sanilevich është ngritur pikërisht për të realizuar këtë projekt. Por përputhjja e emrit të kompanisë me këtë projekt 200-metrash ngre jo pak dyshime.
Saniel Sanilevich është konsulli i nderit të Shqipërisë në Izrael dhe një mik i afërt i kryeministrit Edi Rama. Mediat investigative në Izrael kanë zbuluar se Sanilevich po ndërton një prani të fortë ekonomike në Shqipëri, ndërkohë që përflitet se qëndron pas projektit për privatizimin e tenderave të shëndetësisë.
Marrë nga Kapitali.al