Rritja e çmimeve të banesave dhe qirave po e vështirëson gjithnjë e më shumë jetesën në qytetet evropiane. Një studim i ri ka zbuluar dallime të jashtëzakonshme mes qyteteve të kontinentit: ndërsa një çifti në Zyrih i mbeten mbi 9 mijë euro në muaj pasi paguan qiranë, në Lisbonë kjo shumë është vetëm 253 euro.
Sipas një analize të publikuar nga Euronews, bazuar në raportin “Mapping the World’s Prices 2026” të institutit kërkimor të Deutsche Bank, në shumë qytete të mëdha evropiane një pagë e vetme nuk mjafton më për të paguar qiranë e një apartamenti familjar në qendër, përcjell Reporteri.net.
Studimi ka krahasuar 28 qytete evropiane, duke llogaritur të ardhurat e një çifti ku të dy partnerët marrin nga një pagë mesatare neto dhe duke zbritur qiranë mujore të një apartamenti me tri dhoma gjumi në qendër të qytetit.
Rezultatet tregojnë se vendi ku jeton një familje mund të ndikojë ndjeshëm në shumën e parave që i mbeten në dispozicion pas pagesës së qirasë.
Zyrihu dhe Gjeneva kryesojnë Evropën
Qytetet zvicerane renditen në krye të listës për shumën e parave që u mbetet çifteve pas pagesës së qirasë.
Në Zyrih, paga mesatare neto mujore është 7.321 euro për person, ndërsa qiraja e një apartamenti me tri dhoma gjumi në qendër arrin në 5.502 euro.
Megjithëse Zyrihu ka qiranë më të lartë nga 28 qytetet e analizuara, pagat e larta bëjnë që një çift të ketë rreth 9.140 euro në dispozicion pasi paguan banesën.
Në Gjenevë, kjo shumë është 8.783 euro, ndërsa në Luksemburg arrin në 5.890 euro.
Pas tyre renditen Birmingami në Britaninë e Madhe, me 5.238 euro, dhe Kopenhaga në Danimarkë, me 5.233 euro.
Londra shumë më e shtrenjtë se Birmingami
Një nga dallimet më interesante të studimit vërehet brenda Britanisë së Madhe.
Në Birmingham, një çift që merr dy paga mesatare ka 5.238 euro në muaj pas pagesës së qirasë.
Në Londër, shuma bie në 3.148 euro, ose 2.090 euro më pak.
Arsyeja kryesore është dallimi i madh në çmimet e qirave.
Një apartament familjar në qendër të Birminghamit kushton mesatarisht 1.949 euro në muaj, ndërsa në Londër çmimi arrin në 4.362 euro.
Edhe qytete të tjera evropiane ofrojnë të ardhura relativisht të larta pas qirasë, përfshirë Oslon me 4.936 euro, Frankfurtin me 4.786 euro, Mynihun me 4.575 euro dhe Amsterdamin me 4.431 euro.
Berlini ia kalon Parisit, pavarësisht pagave më të ulëta
Studimi tregon se pagat më të larta nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht më shumë para në dispozicion.
Në Paris, paga mesatare neto mujore është 3.171 euro, krahasuar me 2.946 euro në Berlin.
Megjithatë, një çifti në Berlin i mbeten 3.554 euro pasi paguan qiranë, ndërsa në Paris vetëm 3.336 euro.
Kjo ndodh sepse qiraja mesatare për një apartament familjar në qendër të Parisit është 3.005 euro, ndërsa në Berlin 2.339 euro.
Situatë e ngjashme vërehet edhe në Dublin, ku pagat janë relativisht të larta, por qiraja mujore prej 3.873 eurosh e ul ndjeshëm shumën që u mbetet familjeve.
Lisbona dhe Milano, qytetet ku mbeten më pak para
Në fund të renditjes evropiane ndodhen disa nga qytetet më të njohura të Evropës Jugore.
Në Lisbonë, paga mesatare neto është 1.408 euro për person, ndërsa qiraja e një apartamenti familjar në qendër arrin në 2.561 euro.
Kjo do të thotë se një çift me dy paga mesatare ka vetëm 253 euro në muaj pasi paguan qiranë.
Në Milano, shuma e mbetur është 697 euro.
Edhe në qytete të tjera të Evropës Jugore situata është e vështirë.
Në Madrid, një çifti i mbeten 1.905 euro, në Barcelonë 1.832 euro, në Romë 1.265 euro dhe në Athinë 1.148 euro.
Stambolli renditet gjithashtu ndër qytetet me të ardhurat më të ulëta pas qirasë, me vetëm 353 euro në muaj.
Sa para u mbeten çifteve në disa qytete evropiane?
Sipas raportit të Deutsche Bank, shumat mujore që u mbeten çifteve me dy paga mesatare neto, pas pagesës së qirasë, janë:
Qyteti dhe shuma e mbetur
Zyrih 9.140 €
Gjenevë 8.783 €
Luksemburg 5.890 €
Birmingham 5.238 €
Kopenhagë 5.233 €
Oslo 4.936 €
Frankfurt 4.786 €
Mynih 4.575 €
Amsterdam 4.431 €
Vjenë 3.709 €
Berlin 3.554 €
Paris 3.336 €
Londër 3.148 €
Dublin 3.038 €
Pragë 2.054 €
Varshavë 1.985 €
Madrid 1.905 €
Barcelonë 1.832 €
Budapest 1.548 €
Romë 1.265 €
Athinë 1.148 €
Milano 697 €
Stamboll 353 €
Lisbonë 253 €
Në 11 qytete, një pagë nuk mjafton për qiranë
Një tjetër përfundim i rëndësishëm i studimit është se në 11 qytete evropiane qiraja e një apartamenti me tri dhoma gjumi në qendër është më e lartë se paga mesatare neto e një personi.
Këto qytete janë Athina, Barcelona, Budapesti, Dublini, Stambolli, Lisbona, Londra, Madridi, Milano, Praga dhe Roma.
Dallimi më i madh vërehet në Lisbonë, ku qiraja është 82 për qind më e lartë se një pagë mesatare neto.
Në Milano, një pagë mesatare neto arrin në 1.940 euro, ndërsa qiraja kushton 3.184 euro.
Këto të dhëna tregojnë se për shumë familje evropiane, dy paga janë bërë të nevojshme vetëm për të përballuar banimin dhe shpenzimet e tjera të jetesës.
Evropa krahasuar me pjesën tjetër të botës
Raporti ka analizuar gjithsej 69 qytete në botë.
Cyrihu dhe Gjeneva kryesojnë renditjen globale për të ardhurat që mbeten pas qirasë, duke lënë pas edhe San Franciskon në SHBA, ku një çifti i mbeten 7.992 euro në muaj.
Shtatë nga dhjetë qytetet me rezultatet më të larta ndodhen në Evropë.
Ndërkohë, në disa qytete të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, dy paga mesatare nuk mjaftojnë për të paguar qiranë e një apartamenti familjar në qendër.
Në Manila, për shembull, diferenca mes dy pagave dhe qirasë është negative, me 882 euro, ndërsa në Bangkok arrin në minus 759 euro.
Autorët theksojnë se këto llogaritje përfshijnë vetëm shpenzimet e qirasë, pa marrë parasysh ushqimin, energjinë, transportin dhe nevojat e tjera të përditshme.
Prandaj, shuma që mbetet pas qirasë nuk përfaqëson kursimet reale të familjeve, por vetëm të ardhurat që kanë në dispozicion për të përballuar shpenzimet e tjera.
Marrë nga Eronews.com