Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku u ka drejtuar një letër të hapur përfaqësive më të larta diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri. Letra, e cila mban datën 16 tetor 2026, i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.
Në letrën e saj, Koçeku ka ngritur shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja identifikimi policor. Në dokumentin zyrtar, ajo shpreh shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës nga policia, goditjen e protestuesve të shtrirë në tokë, keqtrajtimin gjatë ndalimeve dhe raportimet për shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate.
Deputetja e ka vënë theksin edhe te ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja të dukshme identifikimi policor, të cilët kanë rrëmbyer dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Ajo shprehet se mungesa e identifikimit në këto ndërhyrje është e papranueshme dhe duhet të marrë përgjigje të qarta institucionale.
Marrë nga Dosja.al