Pas protestave të dhunshme, gjatë të cilave u sulmuan dhe u dëmtuan 38 degë bankare dhe 42 bankomate, sektori bankar po jep sinjalet e para të rikthimit gradual në normalitet. Këtë të mërkurë, bankat tregtare kanë njoftuar një numër më të kufizuar degësh të mbyllura, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e rrjetit të tyre ka rifilluar funksionimin me oraret e zakonshme. Megjithatë, rikthimi mbetet i kujdesshëm, veçanërisht në zonat e kryeqytetit që u prekën më shumë nga protestat.
Njoftimet e publikuara nga institucionet bankare në rrjetet sociale, të konsultuara nga ekofin.al, tregojnë një përmirësim të situatës krahasuar me ditët e para pas përshkallëzimit të protestave, kur një pjesë e bankave kishin vendosur mbylljen e një numri të madh degësh, ndërsa disa prej tyre kishin pezulluar përkohësisht shërbimet fizike edhe në qytetet e tjera, si Durrës e Vlorë.
Megjithatë, normalizimi i shërbimeve bankare nuk është ende i plotë. Në disa zona të Tiranës, veçanërisht në qendër dhe përgjatë akseve ku u zhvilluan protestat më intensive, degë të caktuara vijojnë të qëndrojnë të mbyllura.
ABI Bank rikthehet plotësisht, BKT mban të mbyllura vetëm tri degë
ABI Bank ka njoftuar sot se të gjitha degët e saj do të funksionojnë normalisht, sipas orarit zyrtar 08:30–15:30.
Njoftimi sinjalizon rikthimin e plotë të shërbimit fizik në rrjetin e kësaj banke, pas kufizimeve të vendosura gjatë ditëve të mëparshme.
BKT, banka më e madhe në vend dhe e dyta për numrin e degëve, ka njoftuar zgjerimin e shërbimit në degët e saj.
Sipas njoftimit zyrtar, sot do të jenë të hapura 34 degë në rrethe dhe 24 degë në Tiranë, ose gjithsej 58 degë.
Vetëm tri degë nuk do të ofrojnë shërbim: dega Piazza, dega në Rrugën e Durrësit dhe dega në Rrugën e Elbasanit.
BKT u ka rekomanduar klientëve të përdorin shërbimet digjitale Smart Bankomat, BKT Smart dhe Dega Internet, të cilat mundësojnë kryerjen e një sërë veprimesh bankare pa qenë e nevojshme paraqitja fizike në sportel.
Intesa Sanpaolo dhe Raiffeisen mbajnë të mbyllura disa degë në Tiranë
Intesa Sanpaolo Bank Albania ka njoftuar se tri degë të saj në kryeqytet do të qëndrojnë të mbyllura edhe më 21 tetor.
Bëhet fjalë për degën në Rrugën e Barrikadave, atë në Rrugën e Kavajës dhe degën në Rrugën e Elbasanit.
Edhe Raiffeisen Bank Shqipëri ka njoftuar se pesë degë nuk do të ofrojnë shërbim këtë të mërkurë.
Degët që do të qëndrojnë të mbyllura janë ato në Rrugën e Kavajës, Bllokun e Ambasadave, ETC, Bulevardin Zogu I dhe Rrugën e Durrësit.
Sipas bankës, të gjitha degët e tjera do të vijojnë funksionimin normalisht.
Për klientët që nuk mund të aksesojnë degët e mbyllura, banka rekomandon përdorimin e shërbimeve digjitale, ndërsa ka njoftuar se çdo ndryshim i mëtejshëm do të komunikohet përmes kanaleve zyrtare.
OTP Bank, dy degë të mbyllura dhe orar i reduktuar në shtatë të tjera
OTP Bank Albania ka njoftuar se sot do të mbajë të mbyllura dy degë në Tiranë, përkatësisht Twin Towers dhe Myslym Shyri.
Ndërkohë, shtatë degë të tjera do të funksionojnë me orar të reduktuar, deri në orën 14:00.
Bëhet fjalë për degët Downtown, Private Banking, Blloku, Bulevardi Zogu I, Karl Topia, Blloku i Ambasadave dhe Laprakë.
Të gjitha degët e tjera të OTP Bank do të jenë të hapura me orarin normal, pra deri në orën 15:30.
Edhe kjo bankë ka ftuar klientët të përdorin kanalet digjitale për kryerjen e veprimeve bankare.
Fibank, shërbim normal në rrjet, dy degë vijojnë të mbyllura
Fibank ka njoftuar se rrjeti i saj i degëve do të ofrojë shërbim me orarin e plotë zyrtar, nga ora 08:30 deri në 16:30.
Përjashtim bëjnë dy degë në Tiranë, ajo pranë Kullave Binjake dhe dega pranë Fakultetit të Shkencave, të cilat do të qëndrojnë të mbyllura deri në një njoftim të dytë.
Banka u ka rikujtuar klientëve mundësinë e përdorimit të aplikacionit Fibank Mobile për veprimet bankare.
Gjithashtu, Fibank ka njoftuar se klientët mund të kryejnë veprime me para fizike në rrjetin e bankomatëve në Shqipëri, përfshirë ATM-të e bankave të tjera, pa komisione.
Bankomatët e dëmtuar, problem ende i pazgjidhur në disa zona të Tiranës
Ndërsa degët bankare po rikthehen gradualisht në funksionim, situata paraqitet më problematike në një pjesë të rrjetit të bankomatëve.
Nga një vëzhgim i Ekofin.al në Tiranë, rezulton se disa bankomate, kryesisht në zonat qendrore të kryeqytetit ku janë zhvilluar protestat më intensive, vijojnë të mbeten të dëmtuara.
Dëmtimet e shkaktuara gjatë protestave kanë prekur jo vetëm ambientet fizike të degëve bankare, por edhe pajisjet që mundësojnë tërheqjen e parave dhe shërbimet e tjera automatike.
Në total, gjatë sulmeve të javës së kaluar ranë pre e dhunës 38 degë bankare dhe 42 bankomate, duke krijuar vështirësi për ofrimin e shërbimeve në një pjesë të rrjetit bankar.
Megjithëse një numër i konsiderueshëm degësh kanë rifilluar aktivitetin, rikthimi në funksion i bankomatëve të dëmtuar kërkon ndërhyrje teknike, riparime dhe, në raste të caktuara, zëvendësimin e pajisjeve.
Kjo situatë mund të vijojë të krijojë vështirësi për qytetarët dhe bizneset që kanë nevojë për tërheqje të parave fizike, veçanërisht në zonat ku alternativat e aksesit në ATM janë më të kufizuara.
Tërheqje pa komision edhe në bankomatët e bankave të tjera
Për të lehtësuar aksesin e klientëve në shërbimet bankare gjatë ditëve të fundit, një pjesë e bankave kanë ofruar mundësinë e tërheqjes së parave nga bankomatët e institucioneve të tjera pa komisione shtesë.
Kjo masë synon të kompensojë kufizimet e shkaktuara nga dëmtimi ose dalja jashtë funksionit e disa bankomatëve, duke u mundësuar klientëve të përdorin një rrjet më të gjerë pajisjesh për tërheqjen e parave.
Një praktikë e tillë është konfirmuar edhe nga Fibank, e cila ka njoftuar mundësinë e përdorimit pa komision të ATM-ve të bankave të tjera në Shqipëri.
Paralelisht, institucionet bankare kanë vijuar të promovojnë përdorimin e aplikacioneve mobile, internet banking dhe kanaleve të tjera digjitale, për të reduktuar nevojën për paraqitjen fizike të klientëve në degë.
Marrë nga Ekofin.al