Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka shkruar një letër nga burgu i Fierit, aty ku u izolua sot. Në letrën e publikuar nga avokati i tij Plarent Ndreca, Veliaj tregon se e kanë futur në izolim për 10 ditë dhe ndodhet pa ujë e pa dritare. Veliaj thekson ndër të tjera se i është refuzuar ushqimi, bisedat telefonike me familjarët dhe kujdesi mjekësor. Kryebashkiaku prek edhe çështjen e sigurisë, ku thotë se ndodhet në të njëjtin korridor me tre vrasës me burgim të përjetshëm.
“Futja në izolim për 10 ditë. Pa ujë e pa dritare. Jo kujdes mjekësor. Refuzim i ushqimit. Asnjë arsye për transferimin, izolimin. Asnjë telefonatë për familjen dhe avokatin. Siguria? Në të njëjtin korridor me 3 vrasës, me burgim të përjetshëm”, shkruan Veliaj në letër.
Avokati thotë gjithashtu se Veliaj nuk është ushqyer se ka dyshimet e tij se si është bërë gjithë ky transferim. Në orët e mbrëmjes, kryebashkiaku u vizitua në burg nga Avokati i Popullit, Endrit Shabani, dhe avokati i tij, Ndreca, ku ky i fundit e cilësoi transferimin e tij nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit si të paligjshëm.
Transferimi i kryebashkiakut nga paraburgimi i Durrësit, ku qëndronte që prej arrestimit të tij në burgun e Fierit, u krye sot pas vendimit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Veliaj, në një reagim në rrjete sociale, e cilësoi transferimin si një “rrëmbim policor” pasi nuk ishte njohur me aktin që urdhëronte transferimin dhe arsyet e lidhura me këtë vendim.
Më herët, Veliaj i është drejtuar me një kërkesë zyrtare institucioneve përgjegjëse, duke kërkuar informacion dhe dokumentacion të plotë mbi transferimin e tij nga IEVP Durrës në IEVP Fier, më 28 tetor 2026. Kryebashkiaku kërkoi vënien në dispozicion të urdhrit të transferimit, arsyetimit ligjor dhe komunikimeve mes institucioneve. Sipas kërkesës, dokumentacioni është i nevojshëm për të verifikuar ligjshmërinë e transferimit dhe për të mundësuar ushtrimin efektiv të së drejtës së ankimit.
Marrë nga Dosja.al