Nga Marco Pondrelli
Nga Franca në Itali, nga Portugalia në Belgjikë, deri në Shqipëri e Greqi, protestat pasqyrojnë një pakënaqësi të thellë, të ushqyer nga varfëria, pabarazia dhe mungesa e perspektivës për të ardhmen. Kur politika dështon t’u japë zë kërkesave të qytetarëve, ajo rrezikon ta zëvendësojë përfaqësimin me represionin, duke lënë të paprekura shkaqet e krizës shoqërore.
“Po sikur tani të përfytyronit që ajo vajzë ishte e bardhë?”. Kjo është fjalia me të cilën personazhi i luajtur nga aktori Matthew Mçonaughey, në filmin “Koha për të vrarë”, përpiqet të bindë një juri të përbërë nga të bardhë që ta shpallë të pafajshëm klientin e tij, një afroamerikan që kishte vrarë vrasësit e së bijës.
Për të thyer paragjykimet e anëtarëve të jurisë, avokati i detyron ata të ndryshojnë këndvështrim dhe të përfytyrojnë të njëjtën ngjarje, por me një vajzë të bardhë në vend të vajzës me ngjyrë.
Le të bëjmë të njëjtin ushtrim me atë që po ndodh në Evropë, nga Franca në Itali, nga Portugalia në Belgjikë, deri në Shqipëri dhe Greqi. Le të përfytyrojmë sikur të njëjtat protesta të zhvilloheshin në Rusi.
Nëse studentët do të dilnin në rrugë dhe qeveria do të reagonte duke shpallur shtetrrethimin ose duke thirrur ushtrinë, nëse raftet e supermarketeve do të boshatiseshin sepse transportuesit do të ndërprisnin punën për shkak të çmimit të karburantit, si do të reagonin gazetat dhe televizionet tona?
Me shumë gjasë, do të përballeshim me një rrëfim krejt të ndryshëm nga ai që u kushtohet protestave në vendet evropiane. Analizat nuk do të ndaleshin vetëm te vitrinat e thyera, por do të shqyrtonin krizën ekonomike, mungesën e perspektivës për një brez të tërë, gjendjen dramatike të shkollave dhe universiteteve, si dhe krizën e strehimit.
Do të flitej për një vend në krizë, për zemërimin shoqëror dhe për përgjegjësitë e atyre që janë në pushtet. Askush nuk po synon të justifikojë aktet e dhunës. Megjithatë, është paradoksale të shohësh politikanë që justifikojnë gjenocidin në Gaza, por indinjohen për vitrinat e thyera.
Në fakt, kriza që po përjetojmë, i ka rrënjët shumë më të thella dhe më të hershme sesa luftërat në Ukrainë dhe Iran. Ajo lidhet me kushtet materiale të jetesës, perspektivat e brezave të rinj dhe vështirësinë gjithnjë e më të madhe për të përfytyruar një të ardhme më të mirë. Shifrat ndihmojnë për të kuptuar përmasat e problemit. Riçardo Sorrentino, në gazetën Il Sole 24 Ore, ka tërhequr vëmendjen te gjendja e adoleshentëve francezë: “Për nxënësit e shkollave të mesme, situata është dramatike: 20 për qind kanë pasur mendime vetëvrasëse gjatë vitit 2024, 15 për qind kanë tentuar të vetëvriten të paktën një herë në jetë, ndërsa 3 për qind kanë përfunduar në spital. Për 19 për qind të tyre ekziston rrezik i lartë për të rënë në depresion”.
Edhe në Itali, panorama nuk është më pak shqetësuese. Ish-ministri Enrico Giovannini ka shkruar në gazetën Avvenire: “Në Itali, sipas të dhënave që na paraqiti ISTAT-i një javë më parë, 1.1 milionë fëmijë dhe të rinj nën moshën 18 vjeç jetojnë në varfëri absolute, që përbën 12.5 për qind të të miturve rezidentë në vend”.
Nëse dikur ishte e mundur ta shihje të ardhmen me një besim të arsyeshëm, sot për shumë të rinj, ajo është shndërruar në burim frike. Kjo është një nga arsyet themelore të protestave, siç shpjegon politologu francez Olivier Roy në një intervistë për gazetën Il Fatto Quotidiano: “Ajo që i shtyn të gjithë këta të rinj të protestojnë është thellimi eksponencial i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, ndjesia se nuk kanë të ardhme, se nuk mund të shpresojnë për një jetë dinjitoze dhe se sistemi nuk i respekton”.
Nuk është rastësi që në Itali, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, numri i lindjeve ra me 1.1 për qind. Ata që mbushin gojën me vlerat e familjes tradicionale, në praktikë kontribuojnë në minimin e vetë kushteve materiale që e bëjnë të mundur krijimin dhe mbajtjen e një familjeje.
Kjo ndodh përmes politikave që nuk u garantojnë të rinjve punësim të qëndrueshëm, të ardhura të mjaftueshme dhe mundësinë për të ndërtuar një jetë të pavarur. Ky është edhe filli që lidh protesta në dukje të ndryshme, nga ato të transportuesve deri te ato të studentëve: një krizë shoqërore, së cilës politika nuk po arrin t’i japë përgjigje.
Kërkesat mund të ndryshojnë, ashtu siç ndryshojnë edhe format e protestës, por pas tyre qëndron një nevojë e përbashkët për siguri ekonomike, dinjitet dhe perspektivë për të ardhmen. Në fillim të viteve 1990, Shtetet e Bashkuara shiheshin si një model për t’u ndjekur.
Sot mund të shohim fare qartë se ku na ka çuar ai shembull. Në SHBA, kur pakënaqësia shoqërore shpërthen në rrugë dhe qytetet përfshihen nga trazirat dhe shkatërrimet, përgjigjja shpesh është ndërhyrja e Gardës Kombëtare.
Një sistem i paaftë për t’u përballur me shkaqet e pakënaqësisë, por i gatshëm të përdorë forcën për të frenuar pasojat e saj. Ky është modeli që kemi ndjekur dhe që sot duket se po na paraqet faturën edhe në Evropë. Ajo që mungon në Shtetet e Bashkuara dhe në Itali është përfaqësimi politik i pakënaqësisë shoqërore.
Në Itali dhe në Evropë, forca historike e lëvizjes punëtore qëndronte pikërisht te aftësia për ta shndërruar zemërimin shoqëror në organizim, protestën në kërkesa konkrete dhe këto kërkesa në propozime politike.
Qëllimi nuk ishte të mohoheshin konfliktet, por t’u jepej atyre një drejtim dhe një perspektivë, duke ndërtuar forma organizimi kolektiv të afta për të ndikuar në raportet e forcave dhe në vendimmarrjen e institucioneve.
Sot, kjo aftësi është dobësuar ndjeshëm, edhe për shkak të ngushtimit të hapësirës demokratike në dispozicion të forcave popullore. Parlamenti duket gjithnjë e më i shkëputur nga shqetësimet shoqërore.
Aty flitet për sipërmarrjen dhe konkurrueshmërinë, ndërsa varfëria, puna me paga të ulëta dhe vështirësitë e përditshme të miliona njerëzve, mbeten në periferi të debatit politik. E megjithatë, pikërisht nga këto kushte buron një pjesë e konsiderueshme e zemërimit që po përshkon shoqëritë tona.
Prandaj, problemi nuk është vetëm mënyra se si i paraqesim protestat, por edhe nëse jemi ende të aftë të dëgjojmë mesazhin që ato përcjellin. Mbi të gjitha, shtrohet pyetja nëse ekzistojnë ende forca politike të afta për ta shndërruar këtë pakënaqësi në një projekt ndryshimi.
Nëse kufizohemi vetëm te dënimi i aktit të thyerjes së vitrinave, pa u përpjekur të kuptojmë arsyet që i nxjerrin njerëzit në rrugë, do të përfundojmë duke i lënë të paprekura shkaqet e krizës.
Dhe një shoqëri që nuk u përgjigjet kërkesave të qytetarëve të saj, por përpiqet vetëm të shtypë zemërimin e tyre, nuk e zgjidh krizën por thjesht e shtyn atë për më vonë.
Marrë nga Analisi Difesa