Kompania daneze e shërbimeve postare do të shpërndajë letrat e fundit më 30 dhjetor, duke i dhënë fund një tradite që ka zgjatur mbi katër shekuj. Vendimi i kompanisë “PostNord”, e krijuar në vitin 2009 nga bashkimi i ofruesve të shërbimeve postare suedeze dhe daneze, shënon një kthesë historike për vendin që sot konsiderohet ndër më të digjitalizuarit në botë. PostNord njoftoi se do të shkurtojë 1500 vende pune dhe do të heqë 1500 kuti postare të kuqe, duke u fokusuar vetëm tek shpërndarja e pakove.
Megjithatë, dërgimi i letrave nuk do të zhduket plotësisht. Kompania “Dao” do të marrë përsipër këtë shërbim duke zgjeruar kapacitetin e saj nga 30 milionë letra në vit në 80 milion. Klientët do të duhet t’i dorëzojnë letrat në dyqanet e “Dao” ose të paguajnë ekstra për t’ua mbedhur ato në shtëpi, ndërsa pullat do të blihen online ose përmes aplikacionit.
Ligji danez kërkon që mundësia për të dërguar letra të ekzistojë gjithmonë. Kjo do të thotë se nëse “Dao” ndalon shërbimin, qeveria do të duhet të caktojë një kompani tjetër. Ministria e Transportit ka theksuar se ndryshimi është më shumë “sentimental” sesa praktik, pasi qytetarët do të vazhdojnë të kenë mundësi të dërgojnë e marrin letra.
Marrë nga Balkanweb.com