Një lokal në Mitrovicë të Veriut është sulmuar me koktej molotovi, mëngjesin e 14 korrikut.
“Rreth orësh 03:30 ka pasur tentim për zjarrvënie në Mitrovicë të Veriut”, tha Elshani. Sipas tij, dëmet materiale janë të vogla. “Për momentin nuk kemi të dyshuar”, theksoi Elshani.
I pyetur nëse sulmi ndaj këtij lokali u krye në shenjë hakmarrjeje për vizitën e Sveçlës, Elshani tha se “nuk përjashtohet” mundësia që ky të jetë motivi i sulmit.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë të larta që nga vitin e kaluar, kur mes kundërshtimeve të popullatës lokale serbe, kryetarët shqiptarë morën drejtimin e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.
Tensionet u rritën edhe më shumë më 24 shtator, pasi një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon përfshirjen. Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit. Kosova ka kërkuar që Serbia ta dorëzojë Radoiçiqin dhe pjesëtarët e grupit të tij që kryen sulmin para autoriteteve gjyqësore të Kosovës.