Konfliktet e armatosura dhe dhuna detyruan më shumë njerëz të zhvendoseshin brenda vendeve të tyre gjatë vitit 2025 sesa fatkeqësitë natyrore, duke shënuar një rekord të ri global me 32 milionë zhvendosje të reja, kryesisht në Iran dhe Republikën Demokratike të Kongos.
Drejtoresha e IDMC-së, Tracy Lucas, deklaroi se “numrat mbeten në nivele historikisht të larta”, duke i cilësuar trendet e reja të zhvendosjes si “një zile alarmi”.
Irani dhe Republika Demokratike e Kongos përbënin afro dy të tretat e zhvendosjeve të reja të lidhura me konfliktin, me rreth 10 milionë raste secili.
Ndërkohë, Sudani vazhdon të mbajë numrin më të lartë të personave të zhvendosur për të tretin vit radhazi, me mbi 9 milionë njerëz të detyruar të largohen për shkak të luftës civile. Pas tij renditen Kolumbia, Siria, Jemeni dhe Afganistani.
Drejtori i NRC-së, Jan Egeland, deklaroi se “zhvendosja e dhjetëra milionë njerëzve është dëshmi e dështimit global në parandalimin e konflikteve dhe mbrojtjen e civilëve”.
Raporti evidenton gjithashtu se, megjithëse zhvendosjet nga fatkeqësitë natyrore ranë me 35% krahasuar me nivelet rekord të vitit 2024, ndryshimet klimatike po shtojnë rrezikun në shumë vende të botës.
Zjarret masive në pyje detyruan pothuajse 700 mijë njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre gjatë vitit 2025, ndërsa raporti bën thirrje për investime të mëdha në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Organizatat humanitare paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet edhe më tej për shkak të uljes së financimeve ndërkombëtare, veçanërisht pas shkurtimeve të ndihmës nga SHBA-të, tradicionalisht donatori më i madh global.
Marrë nga AFP