Saga e sherrit të qeverisë me Françesko Beketin ka përfunduar me një fund shumë të hidhur për qytetarët shqiptarë. Biznesmeni italian ka ekzekutuar gjobën 110 milionë euro të arbitrazhit në Belgjikë duke marrë të gjitha paratë e hapësirës ajrore të Shqipërisë, të cilat mbaheshin të bllokuara në llogarinë e Eurocontrol, që prej dhjetorit të vitit 2020.
Tre ditë më parë, Eurocontrol ka njoftuar zyrtarisht qeverinë shqiptare dhe kompaninë Albcontrol se përmbaruesi i Beketit ka ekzekutuar vendimin e arbitrazhit, pas vistos që mori nga gjykata belge. Ndonëse njoftimi mbahet rreptësisht sekret, Kapitali e konfirmoi lajmin nga tre burime të pavarura në ministri të ndryshme, por edhe në Belgjikë.
Fatura e kripur 110 milionë euro që Beketi u mori qytetarëve shqiptarë është dëmi më i madh në historinë e Shqipërisë. Ky dëm ka përgjegjës me emra konkretë, të cilët gjenden të gjithë në vendimin e Gjykatë së Arbitrazhit. I pari është kryeministri Edi Rama me deklarimet e tij publike kundër biznesmenit italian, të cilat gjykata i cilësoi si prova të persekutimit politik të Becchettit.
Por veç Edi Ramës, ky dëm ka dhe dy bashkëautorë të tjerë. I pari është Erion Veliaj, i cili dërgonte SMS kërcënuese, kur gazetarët e Agon i filmuan dasmën në Kalanë e Gjirokastrës.
Bashkëautori i dytë është Engjëll Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë. Ky gjatë një dreke në ish restorant Berlinin në Tiranë, e kërcenoi Becchettin me mesazhe mafioze.
Marrë nga Kapital.al