Banka Botërore ka publikuar raportin e rregullt ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë.
Viti 2024 u mbyll me një bilanc pozitiv për ekonominë e Shqipërisë, e mbështetur nga performanca e fortë e sektorëve të shërbimeve dhe të ndërtimit. Niveli i papunësisë ra në 9,4%, ndërsa pjesëmarrja në forcën e punës u rrit në 75,7%, thekson BB.
Inflacioni u ul ndjeshëm në vitin 2024, në një nivel mesatar vjetor prej 2,2%, duke u përgjysmuar krahasuar me vitin 2023. Kjo rënie i atribuohet kryesisht reduktimit të presioneve inflacioniste të nxitura nga importi.
Ekonomia e Shqipërisë parashikohet të rritet me 3,2% në vitin 2025 dhe 3,1% në 2026, pavarësisht pasigurisë së politikave tregtare globale dhe ndryshimeve që po ndodhin në perspektivën globale.
“Ne presim që rritja ekonomike e Shqipërisë të vijojë të jetë e qëndrueshme në të ardhmen e afërt, megjithëse pasiguritë rreth tregtisë globale dhe rritjes së përgjithshme paraqesin rreziqe potenciale. Për të mbështetur qëndrueshmërinë e rritjes së saj ekonomike, Shqipëria duhet të vazhdojë zbatimin e reformave që synojnë rritjen e produktivitetit, përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe ndërtimin e një shteti digjital, duke u integruar më tej me vendet fqinje dhe Bashkimin Evropian,” shprehet Richard Record, Menaxheri në Detyrë i Bankës Botërore për Shqipërinë.
Rritja ekonomike e parashikuar ka gjasa të ndikojë në uljen e varfërisë në Shqipëri. Inflacioni pritet të kthehet në objektivin 3% gjatë vitit 2025 dhe të luhatet rreth këtij niveli për periudhën afatmesme. Ndërkohë, deficiti i llogarisë korente parashikohet të jetë rreth 3,7% e PBB-së nga viti 2025 e në vijim — që është nivel më i lartë se në vitin 2024, por nën mesataren e tij historike.
Bilanci primar fiskal i vendit parashikohet të mbetet pozitiv, duke arritur mesatarisht në 0,4% të PBB-së në vitin 2025, siç ka ndodhur gjatë dy viteve të fundit. Për më tepër, borxhi publik parashikohet të bjerë më tej, duke arritur mesatarisht në 52,8% të PBB-së gjatë periudhës 2025 – 2027.
Marrë nga Ekofin.al