Lëvizja kundër turizmit masiv në Spanjë po intensifikohet, me aktivistë që kanë premtuar të ndërmarrin veprime të ashpra gjatë verës. Incidentet e fundit përfshijnë bllokimin e vendeve turistike, shkatërrimin e makinave me qira dhe thirrje për bllokimin e aeroporteve.
Në Ibiza, një prej pikave më të njohura për turistët, pronarët e tokave private vendosën të mbyllin pikën panoramike të Es Vedra duke vendosur shkëmbinj të mëdhenj, duke i zhgënjyer vizitorët që mblidheshin atje çdo mbrëmje për të parë perëndimin e diellit.
Ndërkohë, në Tenerife, një grup aktivistësh maskuar dogjën dhe shkatërruan rreth 20 makina me qira në zonën turistike të Costa Adeje, një akt që tronditi si banorët ashtu edhe vizitorët.
Një samit ndërkombëtar i planifikuar për muajin e ardhshëm në Barcelonë pritet të bashkojë aktivistë nga Spanja, Portugalia, Italia dhe Franca për të diskutuar hapat e ardhshëm të fushatës kundër turizmit masiv.
Aktivistët pretendojnë se turizmi masiv ka ndikuar negativisht në jetën e vendasve, duke shkaktuar rritje të qirave, krizë të kostos së jetesës dhe ndotje të mjedisit. Ata kërkojnë një model të ri turistik që të jetë më i qëndrueshëm dhe të mbrojë interesat e banorëve vendas.
Me tensionet në rritje dhe protesta të reja të planifikuara, kjo verë pritet të jetë një sezon i nxehtë jo vetëm për turistët, por edhe për ata që kërkojnë të kufizojnë ndikimin e tyre.
Marrë nga Gazeta-shqip.com