Mbështetës të forcave nacionaliste greke kanë protestuar këtë të dielë kundër pranisë së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Selanik. Rama zhvilloi mitingun me shqiptarët në Selanik, në kuadër të turit të diasporës.
Mediat greke kanë nxjerrë pamje të një grupi të vogël protestuesish që mbajnë në duar flamuj të të ashtuquajturit ‘Vorio Epir’ dhe fotografi të Kostandinos Kacifas.
Tubimi i kryeministrit Rama u mbajt nën masa të forta sigurie. Demonstruesit kanë varur pankarta me sloganin “Edi Rama largohu” dhe kanë mbajtur flamuj të Vorio Epirit. Ata kanë hedhur slogane: “Rama jashtë Greqisë” dhe “Katsifas rron, ti na drejton”.
Ndërkohë, kryeministri shqiptar e përmendi këtë lëvizje në fjalën e tij duke shtuar se të njëjtën tubues, e kanë kërcënuar atë. “Në adresën time kanë bërë kërcënime, që mua më shkaktojnë vetëm keqardhje. Ashtu sic më shkaktojnë keqardhje edhe ata në Shqipëri që e konsiderojnë Greqinë jo-mike. ‘Vorio Epiri’ ka vdekur!”, u shpreh Rama.