Gjatë vitit 2025, pranë platformës “iSIGURT.al” u regjistruan 615 raportime për incidente në internet. Të dhënat e Qendrës Kombëtare për Internet të Sigurt pranë CRCA Shqipëri tregojnë një rritje me 46% krahasuar me një vit më parë.
Sipas statistikave të përpunuara nga menaxherja e platformës, Borjana Dine, prirja është në rritje të vazhdueshme: nga 93 raportime (2021), në 150 (2022) e më tej 244 (2023).
Muaji me më pak raste mbetet gushti, periudhë që lidhet me pushimet verore dhe përdorim më të kufizuar të rrjeteve nga fëmijët.
Rreth 71% e incidenteve janë raportuar nga vajzat dhe 23% nga djemtë, ndërsa 6% e raportuesve nuk deklarojnë gjininë.
“Kjo […] tregon se vajzat po raportojnë thuajse tre herë më shumë se djemtë incidente gjatë lundrimit të tyre online,” theksohet në gjetjet kryesore teksa nënvizohet se në total kanë raportuar 413 vajza dhe 141 djem.
Një tjetër trend në rritje është targetimi i grupeve të caktuara të fëmijëve, që përbën 13% të rasteve.
Mes qyteteve, Tirana mban peshën më të madhe të referimeve, me 335 raste. Ndërsa qytete të tjera prej të cilave ka pasur më shumë raportime janë Fieri, Durrësi dhe Kukësi.
Sa i takon platformave sociale ku kanë ndodhur incidentet, sipas të dhënave nga “iSIGURT.al” kryeson Tik-Tok-u me 82% të rasteve, ndjekur nga Instagrami me 9% të rasteve dhe Facebokk me 7% të rasteve.
“Nga data 16 mars (dita e mbylljes së TikTok) deri më 31 dhjetor, pranë iSIGURT.al kanë mbërritur 208 raportime dhe 337 URL. Kjo tregon se TikTok nuk u mbyll asnjëherë në Shqipëri”, thuhet në gjetjet e prezantuara.
Sipas Altin Hazizajt nga CRCA, bullizmi ndërmjet fëmijëve dhe adoleshentëve është kthyer në formën më të zakonshme të dhunës online.
Pas tij vijnë shantazhi, kërcënimet dhe gjuha e urrejtjes, ndërsa dhuna seksuale mbetet e përhapur, por më pak e raportuar krahasuar me vitet e mëparshme.
Hazizaj paralajmëroi për Citizens.al se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj ngacmimeve dhe përmbajtjeve të papërshtatshme po e normalizon dhunën për të miturit.
Sipas tij, fëmijët dhe adoleshentët duke u “normalizuar” me forma të ndryshme të dhunës e ngacmimit seksual, fillojnë t’i konsiderojnë ato si pjesë të përditshmërisë në internet.
“Mos harrojmë që në Shqipëri pornografia me të rritur shikohet pa asnjë lloj pengese dhe kjo e normalizon edhe më shumë dhunën ndaj fëmijëve, përfshi edhe dhunën seksuale”, shtoi më tej Hazizaj.
Dhuna digjitale në rritje, ligji në mungesë
Policia e Shtetit konfirmoi për Citizens.al se rastet e referuara janë shtuar pesë vitet e fundit: 122 raste (2021), 127 (2022), 258 (2023), 461 (2024) dhe 439 (2025).
Rastet përfshijnë kërcënime, shantazhe, publikim të të dhënave intime, llogari të rreme dhe gjuhë urrejtjeje.
Megjithatë, Shqipëria nuk ka ende një vepër penale specifike për dhunën digjitale sikurse njihet ndryshe dhuna e lehtësuar nga teknologjia, megjithatë, sipas Policisë së Shtetit termi “dhuna online” përdoret “për të identifikuar sjellje që kryhen përmes mjeteve digjitale, rrjeteve sociale apo sistemve kompjuterike”.
Në mungesë të një dispozite të drejtpërdrejtë, autoritetet i referojnë rastet te “falsifikimi kompjuterik” sipas nenit 186/a të Kodit Penal.
“Aktualisht, në Kodin Penal shqiptar nuk ekziston një vepër penale specifike që të trajtojë drejtpërdrejt intimidimin, kërcënimet online apo ekspozimin e të dhënave intime të individëve. Në këto kushte, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike i referon këto çështje për veprën penale ‘Falsifikimi kompjuterik’, parashikuar nga neni 186/a”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Shtetit.
Sipas Policisë rastet më të shpeshta përfshijnë kërcënimet dhe shantazhet përmes rrjeteve sociale apo aplikacioneve të komunikimit, përndjekje dhe ngacmime të vazhdueshme online, krijimi i llogarive të rreme duke përdorur të dhëna apo fotografi të shtetasve të tjerë, si dhe fyerje, gjuhë urrejtjeje dhe cenim të jetës private në hapësirën digjitale.
Pyetur për kategoritë më të prekura nga dhuna online, Policia u shpreh se më të prekurit nga dhuna online janë të miturit, vajzat dhe gratë dhe gazetarë apo profesionistë të medias.
Marrë nga Citizens.al