Nga Xhevat Mustafa
Qysh në fillim të këtij skandali apo të djegies si misionare apo transportuese për marrje dhe dhënie sekretesh shtetërore, është vënë re tendenca qeveritare për ta interpretuar Vlora Hysenin si një “manjake” apo pasionante seksi. Ndërsa lidhjen e saj me Ergys Agasin, thjesht si një lidhje më shumë trupash sesa zemrash, mendjesh, misionesh, detyrash, interesash… Sipas gjykimit tim, Vlora Hyseni “nuk ishte e nuk mund të konsiderohet thjesht një e përvëluar” apo “femër histerike” për seks. Këtë pangopësi seksuale ajo mund ta mbushte ose zbuste edhe në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë, Shkup, Ulqin, Beograd, Berlin, Beograd, Budapest, Bukuresht… Ajo erdhi në Tiranë, e ftuar nga Edi Rama dhe e propozuar atij nga njerëz që ua dëgjonte dhe plotësonte rekomandimet, për të kryer misionin e korieres së sekreteve të interesave shtetërore të Shqipërisë në pazarin jo vetëm ballkanik, por edhe atë moskovit e më afër dhe më larg. Pra, ajo nuk ishte një “manjake seksi”, por një “zanatalije për transport apo tregti sekretesh jo personale e familjare, por shtetërore dhe kombëtare…”!
Edhe sikur të marrim si të mirëqena të gjitha këto ndjenja e ndjesi njerëzore e femërore, përsëri Vlora Hyseni, duke mos qenë për bukuri as nga tufa e miseve të Kosovës, është një hallkë apo një “kukull” që duhej për një intrigë e lojë tejet më të rëndësishme dhe afatgjatë… sesa për kënaqësi pakminutëshe nëpër krevate, divane, dhoma e suita hotelesh apo në tri vendet e fundit të veturave… Ajo nuk ka qenë e nuk ishte deri ditën “e djegies” as moçali, as burimi dhe as thesari i sekreteve të qeverisjes e të pushtetit, që përcaktonte drejtimin e shtetit. Sepse problemi i sigurisë kombëtare nis dhe përfundon tek ai që ka pushtetin politik, kontrollin institucional dhe përgjegjësinë e pakundërshtueshme për vendimmarrjen. Domethënë që firmos e vulos VKM-të, me dorën e vet e jo rastësisht “në pamundësi të shpeshtë fizike” të zëvendëses apo të zëvendësit të tij, si i plotpushtetshëm, si perandor, sulltan, mbret.
Parë nga shumë këndvështrime, vendime, punë, vepra… Edi Rama, dora vetë, është vendimmarrësi kryesor apo i parë dhe i fundit! Të tjerët, pas e përreth tij, sado të rëndësishëm të kenë qenë e të jenë, pa Ramën nuk e kanë atë fuqi politike dhe ekzekutive, vendimmarrëse. Ata mund t’ia kenë miratuar, legalizuar dhe lehtësuar përzgjedhjen dhe emërimin! Edhe nëse për të marrë Vlora Hysenin në krye të SHISH-it e kanë detyruar të tjerë, shumë larg e në veriperëndim të Tiranës, përsëri kryeministri Rama është problemi apo përgjegjësi kryesor.
Duke u shprehur në mënyrë figurative, mund të thuhet me bindjen se je fare pranë të së vërtetës se Vlora Hyseni u gjet dhe u përdor si gur i ri shahu (“mbretëreshë”) në një lojë rreth 114-vjeçare, këto rreth 3 vjet nga Edi Rama…! Për më keq, më papërgjegjshëm e më pafalshëm u mor nga drejtimi i SHIK-ut të Kosovës, duke qenë plotësisht i informuar apo krejt i mirinformuar se ajo ishte shkarkuar nga Albin Kurti e Vjosa Osmani jo për alergji apo mospëlqime personale, për përfolje dhe thashetheme të sajuara, me doza të forta ligësie e tendencioziteti thjesht me karakter personal, por për punë, vepra, fakte…, që dëshmonin për qenien e saj jo thjesht një korriere apo postiere sekretesh shtetërore në itinerarin Prishtinë-Tiranë-Beograd e, nënkuptueshëm, deri në Moskë…!
Prandaj ishte e pabesueshme dhe qesharake deklarata e Taulant Ballës më 29 shtator 2026 se “Partia Socialiste nuk është avokate mbrojtëse e askujt, që abuzon me ligjet dhe dënohet nga institucionet e drejtësisë…!” Mosbesimi dhe ironia ndaj kësaj përralle të tij arrijnë doza të larta nga fakti se, ndryshe nga sa deklarohet me fjalë prononcimesh publike, me vepra të shumta e të mirëfillta, Partia Socialiste ka qenë e vazhdon të jetë punësuese, promovuese, mbështetëse, mbrojtëse e politikanëve dhe pushtetarëve me dosje voluminoze korrupsioni, abuzimesh, plagjiature… dhe të thirrur disa herë nga SPAK!? Ndryshe nga sa thotë e dëshiron të merret si e vërtetë nga sa më shumë vetë, sidomos “të majtë”, Taulant Balla, shumica e shqiptarëve bëjnë mirë të mos pranojnë e lejojnë të bien viktimë e intrigës dhe mashtrimit edramist se skandali Vlora Hyseni duhet të shikohet dhe interpretohet thjesht për nga kurioziteti, efekti, interesi propagandistik dhe seksual e jo si përzgjedhje, privilegjim, vendim, investim… i mirëfilltë personal dhe institucional nga Edi Rama!? Domethënë, nga pandehma dhe të ndjerit e tij më së shpeshti si Enver apo si “lider global”…!?
Pikërisht me këtë llogari dhe qëllim, qysh nga dita kur u bë publik skandali i ri apo i radhës Ergys Agasi-Vlora Hyseni, u hodhën në tregjet mediatike, në rrjete sociale e lokale edhe të vërtetat dhe thashethemet për histori të tjera rozë apo blozë, mes personazheve të tjerë të njohur të politikës, arteve, mediave, bizneseve… Merret me mend, edhe pa u merakosur apo shqetësuar fort se nëpërmjet këtyre kurvërive përhapet edhe mesazhi se plot kabinete e zyra në piramidën qeverisëse dhe shtetërore Rama-Rilindja, gjatë 4 mandateve të tij, janë shndërruar në dhoma bordellosh, shtëpi publike, ngjashëm edhe si kabaretë në Moulin Rouge të Parisit!?
Nuk kërkon vramendje për të kuptuar dhe për t’u bindur se këto raste të shpeshta apo të shumta u duhen “inceneratorëve propagandistikë dhe mediatikë” qeveritarë, që të shtyhen dhe nxiten sa më shumë shqiptarë, sidomos nga turmat e të thjeshtëve, nga zagarët dhe konet; deshët dhe delet; dhitë e cjepërit; derrat e dosat… e përjetshëm të gjasës së majtës, që ta kuptojnë, interpretojnë apo përkthejnë nga edramishtja në SHQIP skandalin Agasi-Hyseni si rast apo shprehje kurvërie personale e çiftore zyrash, dhomash, suitash e jo si dëshmi e mirëfilltë kurvërie politike apo si akt e fakt spiunazhi tradicional dhe shumëdekadësh, Beograd-Prishtinë-Tiranë…!?
Por, jo pak alergjikë, përçmues, jodashamirës ndaj Kosovës dhe shqiptarëve të saj, sidomos nga minoritetet e të krishterët filoserbë e filogrekë, mund ta shfrytëzojnë rastin Vlora Hyseni si argument justifikues për zhgënjimin dhe mosbesimin e tyre ndaj tufës që solli nga Kosova Edi Rama si ministra, drejtorë, këshilltarë…, në “piramidën” e tij qeverisëse dhe administrative! Domethënë, për të thënë se këta të ardhurit nga Kosova në këta 13 vjet, duke “harruar” se ai mund t’i ketë zgjedhur me rekomandime nga “miq të besuar” qëllimisht nga ky “brumë dhe miell”, më shumë serb sesa shqiptar, sikur e ulën dhe nuk e ndihmuan për të na e shtuar bereqetin dhe lezetin në zyrat, që u dhuroi “bujarisht e vëllazërisht” kryeministri Edi Rama. Për më tepër, që për dashuri, nuk e ka të lehtë e të shpejtë të përcaktojë se pas vetes e njerëzve të familjes dhe ca miqve për kokë, sidomos atyre që nga trotuaret e Parisit e sollën në Tiranë për ministër dhe kryeministër, cilët shqiptarë do më shumë, ata të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Diasporës…!?
Edhe nëse “i ka harruar” apo “i ka kapërcyer” në disa raste kompetencat e saj funksionale në Tiranë, Prishtinë, Bukuresht, Washington, Beograd, Baku… këtë guxim e kurajë Vlora Hyseni e ka pasur nga bindja se nuk do t’ia vinin re dhe keqkuptonin, sidomos nga LART, për hir të fortësisë dhe konfidencialitetit të miqësisë së rekomanduesve të saj si dhe të Ergys Agasit me SHEFIN…! Por, edhe duke kujtuar faktin se ishte SHEFI vetë që ishte kujtuar dhe interesuar për atë, për ta vënë në krye të SHISH-it, duke e lënë atë pa mend e pagojë nga kjo befasi e këndshme! Kështu që tani prokurorët e SPAK po i zbulojnë ca shkelje që para tyre ia ka parë edhe vetë SHEFI I MADH për nga posti, pushtetet, shtati, numri i këmbës dhe këpucës…!
Marrë nga Botasot.info