Shqipëria do të përfitojë një tjetër fond nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes.
Lajmi u bë i ditur nga komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, para takimit në Bruksel mes ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të unionit dhe homologëve të tyre në gjashtë vendet e rajonit.
“Kam një mesazh shumë të qartë: ka një vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është përparësi për Bashkimin Evropian dhe nëse kandidatët tanë arrijnë rezultate, atëherë edhe ne duhet të përmbushim detyrat tona. Në planin e rritjes, zbatimi po ecën mirë dhe ditët në vijim do të shpërndajmë rreth 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë”, u shpreh Kos.
Plani i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor, në vlerën e 6 miliardë eurove, synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të unionit me gjashtë vendet e rajonit.
Aktualisht, Komisioni Europian ka ngrirë fondet për Serbinë, për shkak të ligjeve kontestuese për drejtësinë. Duke folur nga Brukseli, komisionerja Kos tha se shteti nuk ka marrë fonde evropiane që nga miratimi i ligjeve për drejtësinë.
Marrë nga Top Channel