Nga Perkin Amalaraj
Zyrtarët druhen se fronti i Ukrainës mund të shembet brenda vetëm gjashtë muajve, pasi forcat ruse po dërgojnë trupa masivisht përtej lumit Dnipro në një përpjekje vetëvrasëse për të fituar territorin ukrainas përpara negociatave të ardhshme të paqes.
Oleksandr Prokudin, guvernatori i rajonit Kherson në Ukrainë, tha se ushtria e Vladimir Putin po përpiqej të kalonte lumin kyç në katër lokacione për të forcuar pretendimet e tyre mbi të gjithë rajonin, pasi Trump mbrëmë shokoi aleatët e NATO-s duke ndërprerë ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën në një përpjekje për të shtuar presionin mbi Volodymyr Zelensky-n për t’i dhënë fund luftës sipas kushteve të tij.
Prokudin i tha Guardian: “Ne dëgjuam nga inteligjenca jonë, se zëvendëskomandanti rus u tha trupave në zonë se duhej ta kalonin lumin me çdo kusht, megjithëse jo të gjithë ushtarët janë të gatshëm ta bëjnë këtë”.
“Rusët e kuptojnë plotësisht se ky është një mision vetëvrasës”, tha guvernatori, duke pretenduar se dokumentet e gjetura nga ushtarët e rënë rusë tregojnë se viktimat varionin nga rekrutët e rinj deri tek ushtarët e regjur në beteja, që kanë luftuar për më shumë se dy vjet.
Ai shtoi se forcave të Putinit në rajon u është thënë ‘duhet ta bëjnë bregun [perëndimor] pjesë të negociatave’ duke marrë nën kontroll të paktën një qytet, megjithëse deri më tani ata kanë dështuar në këtë përpjekje.
Gjeneral-lejtnant Ihor Romanenko, ish-zëvendës i parë i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, i tha Al Jazeera muajin e kaluar “ne do të rezisstojmë gjashtë muaj” pa ndihmën ushtarake amerikane.
Ai shtoi se nuk besonte se Evropa kishte kapacitetin për t’i zënë vendin Amerikës.
Nikolai Mitrokhin, një studiues në Universitetin e Bremenit (Gjermani), e mbështeti këtë, duke thënë se furnizimet aktuale të SHBA, nëse përdoren me masë, nuk mund të zgjasin përtej ‘mesit të verës’ ose ‘vjeshtës’.
Rusia ka sakrifikuar mijëra trupa për hir të territorit dhe kishte bërë përparime të mëdha në rajonin Kherson.
Ndërsa ushtria e saj pothuajse e pushtoi plotësisht rajonin në fazat e hershme të luftës, ajo u detyrua të tërhiqej në nëntor 2022 për shkak të problemeve të furnizimit.
Por që kur nisën negociatat e paqes midis Rusisë dhe SHBA-së, të cilat kryesisht kanë lënë mënjanë Ukrainën, forcat ruse kanë sulmuar në disa drejtime në Kherson për të kërkuar një pretendim për të gjithë rajonin.
Forcat ruse gjithashtu janë bërë më agresive në zona të tjera, pasi sulmet me dronë gjatë natës goditën civilët, duke lënë të dëmtuar një klinikë për fëmijë në Sumy, në verilindje të Ukrainës.
Disa lagje humbën energjinë dhe dy spitale u detyruan të përdornin gjeneratorë rezervë.
Në Odesa, katër persona u plagosën pasi u goditën ndërtesat e banimit dhe dy çerdhe.
Marrë nga Daily Mail