Ish-deputeti, Ervin Salianji pas lirimit nga burgu ka mbajtur një konferencë për mediat nga selia blu, ku tha se u rikthye pas gati 10 muajsh në sallën ku bëri një nga denoncimet më të bujshme. Gjatë fjalës para gazetarëve, Salianji tha se me dënimin e tij, Shqipëria nuk pati benefit por regres për demokracinë e vendit.
Ai shtoi se burgosja e tij erdhi për shkak se preku një nga kartelet më të fuqishme, të lidhura sipas tij me qeverinë. Ish-ligjvënësi e ka cilësuar burgimin e tij si një sakrificë në fobi të interesit publik, ndërsa tha se u dënua me burg për të shmangur betejën zgjedhore të 11 majit.
Ish-deputeti u shpreh se i gjithë gjykimi i tij është bërë nga të afërm të zyrtarëve të Partisë Socialiste. I pyetur nëse do të kandidojë si deputet në zgjedhjet e ardhshme, Salianji ka deklaruar se do të jetë aktiv politikisht. Ai u shpreh, se një pengesë për angazhimin e tij politik është mos zbardhja e vendimit nga Gjykata e Lartë për rekursin e tij.
Ai tha së ka bërë kërkesë për hetim në SPAK për arsyet se përse u ndryshua trupa gjykuese e zgjedhur nga shorti elektronik për çështjen e tij.Pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata e Lartë, ish-deputeti tha se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas edhe Strasburgut.
Salianji tha se demokratët dhe ai vetë duhet të fokusohen te gjetja e zgjidhjes për largimin e kryeministrit Edi Rama nga qeveria. Ai shtoi se nuk mendon se ka qytetarë në Shqipëri që mendojne se ka zgjedhje të lira dhe të ndershme në vendin tonë.
Trupa gjykuese vendosi ditën e sotme që Salianji të lirohet, pasi raporti i shërbimit të provës për Salianjin ka dal pozitiv. Pas publikimit të raportit, prokurori i çështjes ka dhënë dakordësinë që ish-deputeti të dalë nga burgu.
Marrë nga Dosja.al