Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje drejtuesve politikë për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, duke thënë se do të ishte e pafalshme që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme sërish për shkak të kësaj çështjeje. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e parë të kabinetit të tij qeveritar, Kurti u shpreh se Kosova ndodhet pranë një zgjidhjeje dhe paralajmëroi se rikthimi në zgjedhje do të ishte i panevojshëm dhe në dëm të interesit të qytetarëve.
“Jemi kaq afër zgjedhjes së presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë. Andaj u bëj thirrje liderëve politikë dhe deputetëve ta zgjedhimin çështjen e presidentit dhe të ecim përpara”, tha Kurti në mbledhjen e parë të kabinetit të tij qeveritar të hënën.
Në fund të gushtit, Kurti arriti marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës në opozitë, e cila ka 18 deputetë, për ta mbështetur Bekim Sejdiun për president të ri të Kosovës. Megjithatë, një ditë më vonë, gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta përfillin vendimin e liderit të partisë së tyre, Lumir Abdixhiku.
Dy partitë e tjera opozitare shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca e kanë bërë të qartë se nuk kanë votë për Sejdiun. Për zgjedhjen e tij president kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallën e Kuvendit, i cili ka gjithsej 120 vende.
Nuk është e qartë se kur do të mblidhet Kuvendi për të votuar për presidentin e ri. Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e ri, atëherë vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të reja. Thirrja e Kurtit për bashkëpunim vjen në ditën e njëjtë kur PDK-ja i kërkoi Gjykatës Kushtetuese ta pezullojë punën e Kuvendit të ri, derisa ajo të shqyrtojë nëse konstituimi i tij u bë në përputhje me Kushtetutën.
Marrë nga Dosja.al